Një pjesë e të burgosurve në “Idrizovë” kanë gërmuar një tunel për arratisje. Këtë e ka konfirmuar drejtori i burgut Jovica Stojanoviq, drejtor i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve. Ai ka theksuar se aksioni për zbulimin e tunelit është zbatuar nga ana e tyre në koordinim me shumë institucione. Detaje nuk mund të ndajë dhe paralajmëroi njoftim shtesë.
Sipas informatave jozyrtare, tuneli është gërmuar nga shëtitorja e burgut, në drejtim jashtë burgut. Në “Idrizovë”, qëndrojnë të burgosur të cilët janë të dënuar me burg të përjetshëm.
Siç shkruan “Makfax”, gërmimi i tunelit është i mirëorganizuar, ndërkaq disa prej të burgosurve kanë punuar në turne, sipas planit paraprak. Jozyrtarisht, kjo është bërë me muaj.
Në terren ka dalë edhe ekipi i MPB-së, ndërkaq priten detaje shtesë.
Arratisja prej burgut nëpërmjet tunelit, rikujton në filmin ikonik “The Shawshank Redemption” ku i burgosuri, Andy Dufresne, një bankier i suksesshëm, arrestohet për vrasjen e gruas së tij dhe të dashurit të saj dhe dënohet me burgim të përjetshëm në burgun Shawshank. Ai arrin që të arratiset nëpërmjet një tuneli, të cilin e ka gërmuar.