Nuk kemi qenë të informuar dhe nuk ka pasur të dhëna për ndonjë kërcënim apo sulm të mundshëm ndaj delegacionit të OSBE-së dhe as ndaj kryesuesit të Organizatës, ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjatë vizitës së tij në Moldavi, komentuan sot nga Ministria e Punëve të Jashtme pasi në opinion dolën informacione për një sulm të shmangur ndaj delegacionit të OSBE-së gjatë vizitës në Moldavi, të udhëhequr nga shefi i diplomacisë maqedonase, transmeton bild.mk .
Kryesuesi i OSBE-së, siç thuhet nga Ministria e Punëve të Jashtme, kishte besim të plotë në shërbimet e sigurisë së Moldavisë dhe tek autoritetet atje, të cilët garantuan sigurinë e tij dhe të delegacionit që ai kryesonte.
“Në kuadër të OSBE-së, vizitat e delegacioneve të Organizatës dhe vizitat e kryesuesit parashikojnë protokolle të veçanta sigurie që janë nën juridiksionin e vendit nikoqir. Vizitat e realizuara në Ukrainë, Moldavi, si dhe vizitat e planifikuara në terren në të ashtuquajturat “Zona të rrezikuara” realizohen me një tregues të qartë se janë vizita të delegacionit të OSBE-së, të cilat në marrëdhëniet ndërkombëtare konsiderohen vizita me rrezik dhe vigjilencë të shtuar”, theksojnë nga MPJ.
Nga atje shtojnë se siguria e përfaqësuesve të OSBE-së është prioritet i lartë dhe Organizata do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet lokale gjatë çdo vizite dhe në çdo vend.
Reagimi i MPJ-së vjen pasi mediat moldave njoftuan se është shmangur një atentat ndaj ministrit Osmani gjatë vizitës së tij në Moldavi në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së.
“Realitatea” raportoi se sulmi i supozuar do të kryhej me një makinë bombë të parkuar pranë Kalasë Bender. Sipas të njëjtit burim, autoritetet në rajonin separatist pro-rus të Moldavisë, Transnistria akuzuan shërbimin ukrainas të sigurisë për organizimin e planit për sulmin. Madje, ata kanë publikuar një video ku sipas tyre shihet “agjenti” i cili është dashur të kryejë sulmin, duke ndjekur delegacionin e OSBE-së të kryesuar nga Osmani.
Ukraina mohoi kategorikisht akuzat se kishte planifikuar një sulm, ndërsa autoritetet moldave vlerësuan se për pretendime të tilla nevojiteshin prova, pasi ajo që u paraqit “ka karakter spekulativ dhe nuk pasqyron hetime apo të dhënat vërtetuese të autoriteteve të Republikës së Moldavisë. / bild.mk