Në Federatën e Auto Sportit të Kosovës, mbrëmja e së shtunës është karakterizuar me shpalljen e laureatëve për vitin 2022. Në fakt, viti i kaluar ishte i mbushur me aktivitete në auto sport, qoftë në rrafshin vendor, qoftë në atë ndërkombëtar, prandaj edhe numri i atyre që u nderuan ishte mjaft i madh.
Gazmend Demolli ishte më i miri në plasmanin e përgjithshëm të disiplinës malore. Në auto sllallom ky epitet i takoi Valon Jahës, ndërsa te femrat më e mira ishte Ermira Topalli.
Auto Klubi më i suksesshëm i vitit u shpall Prishtina Racing Team, të cilit i takoi edhe epiteti i klubit më të mirë në disiplinën malore.
Në auto sllallom, në plasmanin ekipor te meshkujt, pozita e parë i takoi AMTKK, ndërsa te femrat AK Ferizajt.
Në Drag Race, i pakonkurrencë ishte Skender Potera.
Gjatë vitit 2022 rëndësi iu kushtua edhe kartingut, disiplinë në të cilën klubi më i suksesshëm doli AK Gjilani.
Sa i përket rrafshit ndërkombëtar, Liridon Kalenderi shkëlqeu në Sternberk të Çekisë, ku në garën e Kampionatit Evropian, në një konkurrencë të jashtëzakonshme, u rendit në pozitën e dytë.
Ndërsa, Gazmend Demolli e Valdet Kaçandolli dolën të parët në klasat përkatëse në FIA CEZ, sukses ky që sigurisht duhet vlerësuar shumë.
Po ashtu u ndanë edhe tri “Helmeta të Arta”.
Brunilda Gjura u nderua me këtë çmim prestigjioz, pasi ishte kampione në auto sllallom në vitet 2019, 2020 dhe 2021, ndërsa këtë sukses e arriti edhe Ermira Topalli si kampione në 2020, 2021 dhe 2022.
Me “Helmetë të Artë” u nderua edhe Hysen Hyseni, i cili doli kampion në vitet 2020, 2021 dhe 2022.
Ermira Topallit i takoi edhe çmimi për sportisten më fair-play, çmim i cili tek meshkujt iu nda Emilian Sakulit.
Në mbrëmjen e së shtunës, me kupa e mirënjohje janë nderuar edhe shumë individë, klube e institucione që gjatë vitit të kaluar kontribuan në auto sportin e Kosovës.