Kampionia e Ligës Unike te femrat, Prishtina i ka përmbyllur garat e rregullta me fitore, duke mundur Penzën në udhëtim me rezultat 65:88 (13:19, 20:20, 17:22, 15:27).
Në çerekun e parë prishtinaset kishin epërsi të lehtë, që e shtuan në fund për të fituar këtë pjesë 13:19. Në periudhën e dytë, mysafiret tentonin të shkëputeshin, duke pasur epërsi deri në dhjetë pikë, ndërsa vendaset tentonin të afronin shifrat, kurse pjesa e parë përfundon 33:39.
Kryeqytetaset e shtuan epërsinë në periodën e tretë, ku më e larta ishte 15 pikë, 42:57, ndërsa rezultati pas 30 minutash ishte 50:61. Në dhjetë minutat e fundit, bardhekaltrat vetëm sa shtuan epërsinë dhe triumfuan 65:88.
Te pejanet më të mirat ishin Jeta Zeka me 17 pikë e 15 kërcime dhe Leila Omerbasiq me 26 pikë dhe katër kërcime, ndërsa më e dalluara te prishtinaset ishte Sarah Mgbeike me 23 pikë, nëntë kërcime dhe gjashtë asistime.
Penza përfundon garat e rregullta me dy fitore e tetë humbje, duke u renditur në vendin e gjashtë, ndërsa Prishtina me gjashtë fitore e katër humbje dhe do të synojë të mbrojë titullin në Vlorë, ku zhvillohet Final 4, më 15-16 mars.