Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e vajzave nën moshën 16-vjeç ka shënuar fitore kundër Andorrës, me rezultat 3:1.
Kjo ishte ndeshja e parë e dardaneve të reja në “UEFA Development Tournament” që po zhvillohet nën organizim të Federatës Shqiptare të Futbollit, e ku marrin pjesë edhe Moldavia dhe Shqipëria si nikoqire.
Të përzgjedhurat e Albina Rrahmanit që nga fillimi i ndeshjes ishin më të mira dhe nuk lejuan në asnjë moment që fitorja të vihej në dyshim.
Rezultatin e zhbllokoi Riga Kallaba, në minutën e 30-të. Epërsinë në 2:0 e shtoi Olsa Maçastena, në minutën e 51-të. Andorra arriti ta ngushtojë epërsinë në minutën e 55-të përmes Hulia Domingos, e cila realizoi nga penalltia.
Megjithatë, vetëm tre minuta më vonë Riga Kallaba shënoi sërish për ta rikthyer epërsinë prej dy golave, 3:1, që njëherësh ishte rezultati përfundimtar i kësaj ndeshjeje.
Takimin e radhës Kosova e zhvillon kundër Shqipërisë, më 9 mars, në orën 14:30, derisa më 12 mars takohet me Moldavinë.
Përzgjedhësja Albina Rrahmani pas ndeshjes u shpreh e lumtur për fitoren dhe për paraqitjen e vajzave në takimin e parë të këtij turneu. “Duke pasur parasysh që vajzat kanë pasur pak kohë të stërvitin së bashku, mendoj që ishte një paraqitje e mirë. Më gëzon shumë angazhimi që ato bëjnë, dëshira për të luajtur dhe për të dhënë më të mirën. Gjithsesi jam e lumtur që e filluam turneun me fitore”, ka theksuar Rrahmani.