Një zyrtar meksikan thotë se dy shtetas amerikanë, të zhdukur që kur u rrëmbyen të premten e kaluar në një akt të dhunshëm në qytetin verior Matamoras, janë gjetur të vdekur dhe dy të tjerë janë ende gjallë.
Guvernatori i shtetit Tmaulipas, Americo Villarreal, tha të martën se një nga dy shtetasit amerikanë të mbijetuar ishte i plagosur. FBI-ja njoftoi të dielën se në bashkëpunim me autoritetet meksikane po bënte kërkime për individët e zhdukur.
“Dy janë vrarë, një individ është plagosur dhe një tjetër është i gjallë. Aktualisht ambulanca dhe organet e sigurisë po shkojnë për të ofruar ndihmën përkatëse”, tha Villarreal. Guvernatori nuk dha detaje të mëtejshme se ku ishin gjendur amerikanët. Ai pritet të dalë në një konferencë shtypi më vonë të martën.
Shtetasit amerikanë u gjenden në një zonë rurale të quajtur Ejido Longorno përgjatë rrugës që të çon në plazhin lokal Playa Baghdat, sipas një zyrtari shtetëror që kërkoi të mbetej anonim.
I afërmi i njërit për individëve tha se të katër amerikanët kishin udhëtuar nga Karolina e Jugut për të realizuar një ndërhyrje kirurgjikale nga një mjek në qytetin Matamoros.
Menjëherë pas futjes në Meksikë të premten, ata u gjendën nën zjarrin e armëve të grupeve rivale të karteleve të drogës. Pamjet filmike tregojnë momentin kur individë të armatosur i detyrojnë amerikanët të hipin në një makinë.
Zyrtarët meksikanë thanë se një grua, kalimtare e rastit, humbi jetën gjatë shkëmbimit me armë zjarri.
Incidenti është shembull i terrorit që ka mbizotëruar prej vitesh qytetin Matamoros, ku dominojnë kartele të fuqishme të drogës, të cilat shpesh luftojnë mes tyre. Vetëm në shtetin Tamaulipas janë zhdukur mijëra meksikanë si rezultat i dhunës mes karteleve të drogës. /VOA