Kryeministri Rama është pritur në një takim nga kancelari gjerman Olaf Scholz në të cilin u diskutua si bashkëpunimi mes dy vendeve por edhe mbajtja më 16 tetor të samitit të procesit të Berlinit në Tiranë.
Kancelari gjerman përmendi edhe ato që mund të quhen detyrat për Shqipërinë.
“Integrimi i shpejtë i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimit në Bashkimin Europian, dëshiroj ta ritheksoj, për qeverinë time gjermane ka rëndësi strategjike. Ne dëshirojmë t’i mirëpresim ata sa më shpejt të jetë e mundur si anëtarë në Bashkimin Europian. Prandaj, përparimet në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian, përparimet e Shqipërisë janë një sinjal shumë i mirë.Thelbi i negociatave është dhe mbetet forcimi i sundimit të ligjit. Prandaj, është mirë që anëtarë të rrjeteve kriminale, por dhe zyrtarë të rangut të lartë në rajon ndërkohë janë paditur dhe janë dënuar. Mediat e lira dhe të pavarura janë pjesë përbërëse thelbësore e demokracive tona europiane prandaj ka rëndësi. Natyrisht, kemi nevojë për një mjedis ekonomik me siguri juridike dhe transparent”- u shpreh kancelari gjerman.
“Ky Samit do të jetë një samit që do të vazhdojë në rrugën e çelur thellimin e procesit, do të trajtojë sigurisht bilancin e arritjeve të këtij procesi dhe patjetër objektivat për t’u arritur më tutje, si dhe do të fuqizojë bashkëpunimin në rajon edhe më shumë”- vijoji Rama.
Gjermania po tërheq një pjesë të mirë të profesionistëve dhe ikja nga Shqipëria drejt këtij vendi të mjekëve dhe infermierëve është diskutuar në takim. Rama bëri të ditur se është Shqipëria që po financon në sistemin gjerman të shëndetësisë
“Por nga ana tjetër, e kemi diskutuar me kancelarin se si duhet të gjejmë mënyra dhe mekanizma që faktikisht Shqipëria të mos jetë financuesi i drejtpërdrejtë i sistemit shëndetësor gjerman. Ndërkohë që i kam shpjeguar kancelarit që studentët tanë të mjekësisë paguajnë 1 të 16 e kostos ndërkohë që të gjithë pjesën tjetër e paguan qeveria”- tha Rama.
“Dhe vendi ynë ndihet përgjegjës që nevojën e tij të madhe për vende pune të mos ta mbulojë vetëm nga shtete të BE, por edhe përtej BE. Ne kemi përpunuar legjislacionin për emigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani dhe me këtë hapet tregu i Gjermanisë dhe i Europës dhe kjo ndoshta është diçka që e bën më të menaxhueshme situatën edhe në Europë”- tha kancelari Scholz.
Integrimi në Bashkimin Europian të Shqipërisë është diskutuar në takim dhe kryeministri Rama në konferencën për shtyp tregoi ndryshimin që ka sjellë veçanërisht reforma në drejtësi.
“Ka ardhur dita që në Shqipëri, atë që s’e besonte askush deri para disa vitesh, është bërë fakt, fakti që edhe njerëz me profil të lartë të lidhur me shumicën qeverisëse, mund të shkojnë para drejtësisë dhe në këtë aspekt, e thashë që këto janë shenja shumë domethënëse të një rruge që vazhdon dhe Procesi i Berlinit është krijuar pikërisht për ta shtyrë më tutje vazhdimin e kësaj rruge jo vetëm në aspektin e meritës individuale të çdo vendi por edhe në asketin e bashkëpunimit dhe tani kombinimi i gjithë aspekteve ekonomike dhe financiare të Procesit të Berlinit me shtysën e re që kancelari Scholz, Gjermania, së bashku me presidentin Macron dhe Francën, dhe përmes Bashkimit Europian dhe në bashkëpunim me Shteteve të Bashkuara po i japin edhe normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, e plotësojnë këtë kuadër qe na bën të jemi optimist për të nesërmen e rajonit tone”- është shprehur Rama nga Berlini
Top Channel