BOTA

Kancelari gjerman në vizitë konfidenciale në Uashington

Kancelari gjerman Olaf Scholz qëndron për një vizitë të shkurtër pune në Uashington të premten. Me vete ai ka fjalimin e tij për “pikën e kthesës” që mbajti në Bundestag. Në bisedimet me presidentin amerikan, Joseph Biden të premten, kancelarit do t’i nevojiten prova konkrete, se ai ishte vërtet serioz kur premtoi ndryshimin e kursit të politikës gjermane pas sulmit rus në Ukrainë, shkruan agjencia Reuters.

Ndryshe, sipas qarqeve qeveritare në Berlin, bëhet fjalë për një takim paqësor dhe konfidencial me presidentin amerikan – në një atmosferë mundësisht private – për situatën dhe zhvillimin e ngjarjeve në Ukrainë, por edhe për shqetësimet e evropianëve për ndikimin e subvencioneve amerikane në ekonominë e Evropës.

Organizimi i pazakontë i vizitës pa u shoqëruar nga gazetarë, shkaktoi menjëherë spekulime të reja për dallime në opinionet transatlantike – veçanërisht pasi këshilltari i sigurisë së Biden, Jack Sullivan e bëri të qartë përsëri në një intervistë, se SHBA do të dorëzojë tanke Abrams në Ukrainë – me vonesë – vetëm sepse Scholz këmbënguli për këtë, raporton DW.

Jo shenjë e krizës

“Por ky lloj organizimi i udhëtimit nuk është shenjë e ndonjë krize në raporte”, i tha Reuters Suda David-Wilp, drejtuese e zyrës së Fondit Marshall Gjerman (GMF). Më mirë është të thuhet se Scholz dhe Biden duan të përdorin mundësinë për të thelluar marrëdhëniet e tyre personale. Uashingtoni ende shikon Berlinin si forcën kryesore për koordinimin ushtarak në Evropë, thotë ajo.

David-Wilp gjithashtu relativizon raportet e mosmarrëveshjeve midis dy qeverive. “E di që zyra e kancelarit dhe Shtëpia e Bardhë janë në komunikim të vazhdueshëm.” Ekipet e Scholz dhe Biden po punojnë ngushtë së bashku.

Fakt është se kanë kaluar vetëm dy javë që kur SHBA dërgoi një sinjal të qartë transatlantik – me praninë e saj deri tani “më të fortë” në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Një e treta e Senatit të SHBA-së ishte në Mynih dhe e lavdëroi Gjermaninë për “piketat” dhe premtimet për të furnizuar Ukrainën me tanket kryesore luftarake të saj Leopard.

“Por kishte ende acarime në Uashington sepse u krijua përshtypja se Shtetet e Bashkuara po vononin dërgesat e tankeve,” thotë Marko Overhaus, një ekspert amerikan në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SVP).

Ukraina dhe Kina

Në terma afatshkurtër, presidenti i SHBA-së dhe kancelari i Gjermanisë duhet të sqarojnë tani se si të veprojnë në rastin e Ukrainës dhe si mund të shmanget pamaturia në komunikim, si ato me tanke, në të ardhmen.

“Por ka edhe çështje afatmesme dhe afatgjata, disa prej të cilave janë shumë të ndjeshme: si rindërtimi i Ukrainës, ndjekja penale e kriminelëve të luftës, por edhe çështja se si mund të duket procesi politik për përfundimin e luftës”, thotë Overhouse. Ndaj edhe pritet një konfidencialitet i lartë në bisedë.

Eksperti i SVP pret që zbatimi i “pikës së kthesës” në Gjermani mund të shndërrohet në problem për palën amerikane. “Ka shumë për të shpjeguar.”

Përveç kësaj, Scholz dhe Biden mund të diskutojnë marrëdhëniet e ardhshme me Kinën. Qeveria amerikane ka paralajmëruar prej ditësh se Kina mund të furnizojë Rusinë me armë. Ndërsa kancelari i ka bërë thirrje Kinës që të mos dërgojë armë në Rusi.

“Këtu mund të shtrohet pyetja, cili është vullneti në Gjermani dhe Evropë që të vendosin sanksione ndaj Kinës në një rast të tillë”, thotë Overhaus. Qeveria në Berlin i ka bërë thirrje Kinës të mos dërgojë armë, por ajo është më e rezervuar, sepse deri më tani nuk ka prova se Kina ka kaluar në të vërtetë vijën e kuqe dhe ka dërguar armë në Rusi.

Subvencionet

Sipas dëshirës së ekonomisë gjermane, Scholz duhet të trajtojë në Uashington edhe temën e subvencioneve amerikane. “Ekonomia gjermane mezi pret vizitën e kancelarit në SHBA”, tha Peter Adrian, kreu i Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK).

“Qeveria gjermane duhet të kërkojë me vendosmëri kushte të drejta për konkurrencë në negociata”, thotë ai. Qëllimi duhet të jetë përjashtimi i diskriminimit ndaj kompanive gjermane, duke pasur parasysh paketën e subvencioneve që bien ndesh me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Biden e premtoi këtë, por zbatimi i rregullave nga pala amerikane ka gracka.

Dhe sado që qeveria gjermane mirëpret angazhimin amerikan në ruajtjen e klimës: “Ka shumë njerëz në Berlin që janë vërtet të shqetësuar”, thotë shefja e GMF, David Wilp.

Related posts

Biden: Nuk është racionale që Kina të negociojë rezultatin e luftës

admin

NATO: S’ka rrezik që Rumania të futet në luftë me Rusinë

admin

Samsung akuzohet për foto ‘të rreme’ të Hënës

admin

Leave a Comment