Nuk po shuhen reagimet e qytetarëve pas rritjes së normave të interesit për shërbimet bankare. Njoftimet për rritjen e kamatës për kartelat kreditore, lejimin e mbitërheqjes në llogarinë e transaksionit dhe instant kredive, gjetën përdoruesit të cilët i presin të frikësuar llogaritjet në fillim të këtij muaji se sa do të paguajnë për ndonjë nga shërbimet. Një shembull të thjeshtë e jep Pero Stojanovski i cili thotë për “Lokalno” se nga banka ku ai ka qenë klient prej vitesh ka marrë njoftim se për shkak të rritjes së normës referencë të interesit për bonot e thesarit, kamata për minusin e lejuar në vend të 10% sa ishte vitin e kaluar, tani është rritur me 2.75%, pra është 12.75%. Kur i uli shifrat në minusin e tij të lejueshëm, thotë se ishte i shokuar sepse shpenzimet i shtoheshin ndjeshëm. Pra, për kufirin e lejuar prej 30.000 denarë, nëse deri në vitin e ri paguante 249 denarë në muaj për kamatë në gjendje minus, tani paguan gati 70 denarë më shumë ose 318 denarë, transmeton pressonline.mk .
Asociacioni Maqedonas i Bankierëve shpjegon për Lokalno se politika monetare ka një ndikim të rëndësishëm në kushtet e kreditimit. Çdo shtrëngim i politikës monetare nënkupton rritje të normave të interesit, por në çfarë mase vendos secila bankë veç e veç, shtojnë nga aty.
“Anëtarët tanë, bankat dhe bankat e kursimeve, ndjekin masat dhe sinjalet e politikës monetare të Bankës Popullore dhe secila prej tyre merr një vlerësim dhe vendim lidhur me shumën dhe ndryshimet e normave të interesit. Shtrëngimi i politikës monetare është një sinjal i qartë për një rritje të normave të interesit, si për kreditë, ashtu edhe për produktet depozituese të bankave dhe bankat e kursimeve. Masa e normës së interesit për mbitërheqjen e lejuar përcaktohet për çdo gjysmë viti dhe varet nga shuma e normës së referencës për llogaritjen e normës së interesit penal. Me Vendim të NBRSM nr. 02-42045/1 datë 22.12.2022, për periudhën nga 01.01.2023 deri më 30.06.2023, norma e referencës është rritur në 4,75% (deri më 31/12/2022 ishte 2%)” – shpjegojnë nga AMB.
Nga fillimi i vitit ka hyrë në fuqi Ligji për Shërbimet e Pagesave, me të cilin bankat janë të obliguara që në mënyrë transparente të publikojnë të gjitha kostot, tarifat, komisionet dhe normat e interesit që kanë klientët mbi çdo bazë. AMB garanton se bankat me fuqinë e tyre kapitale dhe totalin e potencialit financiar janë të gatshme të vazhdojnë me mbështetjen e fuqishme financiare të ekonomisë dhe popullsisë dhe duke pasur parasysh, siç thonë nga aty, kompleksitetin e faktorëve që aktualisht kanë ndikim, çdo bankë dhe bankë kursimi do t’i ofrojë tregut atë që konsideron të jetë në interes të klientëve dhe, natyrisht, të përmbushë politikat dhe strategjitë e saj të biznesit. / pressonline.mk