“Timonieri” i Llapit, Tahir Batatina ka mohuar mundësinë që akuzat për kurdisje të kenë ndikuar në paraqitjen ndaj Prishtinës.
Llapi humbi 2:0 nga Prishtina, të dielën në Podujevë. Më herët gjatë javës nga Franca kanë ardhur akuza për përfshirjen e Llapit në kurdisje të rezultateve, që janë mohuar nga klubi llapjan.
“Jemi munduar ta përgatitim lojën mirë. Në pjesën e parë kishim rastet tona dhe nuk shënuam. Pranuam gol të lehtë. Më pas portieri nuk ishte i kujdesshëm dhe kjo na nxjerri prej ekuilibrave. U munduam në pjesën e dytë, ishim dy herë paralel me golin dhe nuk shënuam. Kampionati është i gjatë. Ishim në seri të mirë. Besoj që ishte ngarkesë për shkak të ndeshjes së kaluar”, ka thënë Batatina.
Ai më pas është pyetur nëse në paraqitje kanë ndikuar akuzat.
“Jo, sa i përket asaj pjesës na me ekipin nuk merremi me atë pjesë. Na do të merremi vetëm me pjesën tonë që na takon. Skuadra sot nuk e kishte ditën e vet. Pas katër fitoreve erdhi edhe humbja. Jemi afër pozitës së tretë. Është herët, ka kohë”, ka theksuar Batatina.