Xhudistja Distria Krasniqi dhe boksieri Shpejtim Bajoku janë sportistët më të mirë të vitit 2022 në Kosovë të shpallur nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
KOK-u ka vazhduar traditën e shpalljes së më të mirëve të vitit, ndërsa Distria vazhdoi me mbledhjen e trofeve.
Ajo ishte më e mira edhe në vitin 2020 dhe 2021. Distria vjet ka fituar medalje të bronzta në Botëror e Evropian, medalje të arta në Lojërat Mesdhetare dhe në Masters, ndërsa lista e medaljeve të saj është dukshëm më e gjatë.
Medalje të bronztë botërore e evropiane kishte edhe boksierja Donjeta Sadiku, por suksesi në garat tjera ka bërë dallimin këtë herë.
“Viti 2022 ishte shumë i suksesshëm për mua. Dua ta falënderoj Tonin, pasi pa punën e tij gjitha këto suksese nuk do të ishin të mundura“, ka thënë Distria Krasniqi.
Te meshkujt, konkurrenca ishte më e zbehtë. Boksieri Bajoku u shpall më i miri i vitit falë suksesit në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”.
Në Lojërat Mesdhetare, boksieri kosovar kishte fituar medaljen e bronztë, njëjtë si xhudisti Akil Gjakova. Ajo medalje i ka mjaftuar Bajokut që të shpallet më i miri i vitit 2022 në Kosovë.
“E falënderoj trajnerin Besim Brahimi për punën e jashtëzakonshme dhe falënderime për të gjithë ju“, ka thënë Bajoku.
Në ceremoninë “Laureatët e Vitit” u ndanë edhe çmime të tjera.
Trajner i vitit u shpall sërish Driton Kuka. Nxënësit e Kukës fituan medalje në të gjitha ngjarjet ku morën pjesë dhe sërish ishin bindshëm më të mirët në vend. Kuka shpallet trajner i vitit rregullisht që nga viti 2016, kur KOK-u nisi me ceremoni.