Rezultati i vetëm i drejtë është çlirimi i të gjithë territorit të Ukrainës, tha presidenti Stevo Pendarovski në njëvjetorin e agresionit rus. Ai tha se Ukraina është fituese morale, sepse ka bashkuar botën demokratike pas kauzës së saj. Bota demokratike nuk ka të drejtë të mposhtet sepse sipas Pendarovskit kemi një luftë të diktaturës kundër demokracisë.
“Zgjedhja se kur dhe në çfarë kushtesh do të ndodhë paqja është zgjedhja më e drejtë për vetë qytetarët ukrainas, të cilët po luftojnë për mbijetesën e tyre. Mbështetja jonë për përpjekjet e tyre do të vazhdojë të jetë e qartë dhe konkrete”, deklaroi Stevo Pendarovski – President.
Presidenti shtoi se vendi do të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën, me ndihma humanitare, teknike dhe ushtarake. Nga ana tjetër, ambasadorja e Ukrainës në vend, Larisa Dir, falënderoi për ndihmën e ofruar. Ajo tha gjithashtu se gabimi më i madh i Rusisë ishte nënvlerësimi i rezistencës ukrainase.
“Arsyeja e vetme për këtë agresion të paprovokuar ishin ambiciet neo-perandorake të shtetit rus, dhe kreut të saj. Presidenti i Rusisë bëri një gabim fatal. Në realitet, Ukraina jo vetëm që ndaloi pushtimin, por gjithashtu arriti të çlirojë pothuajse gjysmën e territoreve të saja të pushtuara rishtazi”, u shpreh Larisa Dir, ambasadore e Ukrainës.
Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, theksoi se në krahasim me kapacitetet e brendshme, vendi është në grupin e vendeve që e ndihmojnë fuqishëm Ukrainën në mbrojtje nga agresioni. Petrovska theksoi se mbështetja dhe ndihma jonë do të jenë në dispozicion, derisa populli ukrainas të realizojë të drejtën e tij për të lëvizur lirshëm dhe për të jetuar në territorin e tij.
“Kjo nuk është vetëm një luftë e Ukrainës, kjo është një luftë për të ruajtur të gjithë rendin ndërkombëtar, i cili bazohet në rregulla dhe parime. Liria nuk ka çmim, ashtu siç nuk ka asnjë çmim mbështetja dhe ndihma jonë për Ukrainën. Lavdi Ukrainës!”, tha Slavjanka Petrovska – Ministre e Mbrojtjes.
Përvjetori i parë i fillimit të luftës u shënua përmes konferencës “Ukraina – një vit heroizëm” organizuar nga ambasada ukrainase dhe OJQ Civil.