Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi në seancën e sotme të Kuvendit për pyetje të deputetëve është kundërpërgjigjur ndaj shpifjeve, retorikës antishqiptare të VMRO DPME-së dhe politikave raciste lokale të kryetarëve të komunave të saj ndaj shqiptarëve.
Grubi ka komentuar në veçanti akuzat e VMRO-së ndaj drejtoreshës së Byrosë për Meteorologji, Merita Mustafai për tender të manipuluar, duke thënë se nga mosdija e detajeve mbi ecurinë e procedurës kanë akuzuar për korrupsion ambasadorin e Bashkimit Europian, David Geer dhe delegacionin e BE-së në vend për korrupsion, pasi ata janë përkujdesur për zgjedhjen e ofertuesit dhe pajisjet ia kanë dhuruar Ministrisë së Ekonomisë dhe Byrosë për Meteorologji.
“Në lidhje me Merita Mustafain, e akuzoni për korrupsion dhe ju lutem të dëgjoni mirë, për tender, po, për Byronë për Meteorologji, për tender që e ka publikuar z. Geer, ambasadori i Bashkimit Europian, e ka zbatuar Bashkimi Europian, delegacioni i Bashkimit Europian në Maqedoninë e Veriut, e ka zgjedhur ofertuesin, e ka blerë pajisjen dhe ia ka dhuruar shtetit përmes Ministrisë së Ekonomisë, Byrosë për Meteorologji. Ju sapo e fajësuar ambasadorin Geer se është më i korruptuari në shtet, se Bashkimi Europian është i korruptuar, dmth ky është skandali më i madh”, ka thënë Grubi.