SHQIPËRI

Raporti vjetor i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Balla: Ligji do t’i japë Kuvendit rolin që i takon në proces

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla foli sot në Kuvend për raportin vjetor të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, i cili sipas tij dëshmon angazhimin e Shqipërisë në proces.

Balla tha se dy ngjarje kanë pasur një rezonancë të veçantë në rrugëtimin europian të Shqipërisë për vitin 2022, çelja e bisedimeve me Bashkimin Europian dhe mbajtja e Samitit Europian më 6 dhjetor 2022, e cila për herë të parë u zhvillua në një vend të Ballkanit Perëndimor.

Balla tha se këto ngjarje çuan në miratimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin dhe Integrimin Europian 2022-2030 nga qeveria në mbledhjen e ditës së djeshme ku Integrimi Europian është një nga prioritetet së bashku me luftën ndaj korrupsionit, energjinë, turizmin, bujqësinë dhe digjitalizimin.

Ai shtoi se ndryshimet ligjore “Për Rolin e Kuvendit në Procesin e Integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian” të cilat priten të miratohen ditët në vijim në Komisionin e Posaçëm, synojnë t’i japin Kuvendit rolin që i takon në procesin e integrimit nëpërmjet forcimit të mekanizmave monitorues dhe mbikëqyrës të strukturave përgjegjëse për negociimim me BE.

Fjala e plotë e Taulant Ballës: 

Viti që lamë pas padyshim ka qenë i mbushur me ngjarje të rëndësishme vis a vis procesit të integrimit Europian të Shqipërisë dhe raporti vjetor i veprimtarisë së Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, për të cilin jemi ftuar të diskutojmë sot, e dëshmon më së miri këtë fakt.

Megjithatë dy ngjarje kanë pasur një rezonancë të veçantë në rrugëtimin europian të vendit tonë: Së pari, çelja e bisedimeve me Bashkimin Europian në korrik të 2022, e shoqëruar me mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, padyshim e ka afruar vendin tonë më pranë ëndrrës europiane si kurrë më parë.

Së dyti mbajtja e Samitit Europian më 6 dhjetor 2022, e cila për herë të parë u zhvillua në një vend të Ballkanit Perëndimor, ishte padyshim një ngjarje historike dhe një tjetër sinjal i fortë mbi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor dhe rolin e padiskutueshëm të vendit tonë në rajon dhe më gjerë në drejtim të promovimit të vlerave të bashkëjetesës paqësore me fqinjët, bashkëpunimit dhe dialogut.

Shqipëria tashmë ka mbyllur procesin e screening për kapitujt e parë të të ashtëquajturave Thelbësoret dhe pritet raporti i Komisionit Europian për shqyrtimin analitik.

Padyshim këto ngjarje të rëndësishme mbartin një mesazh të fuqishëm për shkak të kontekstit të paimagjinueshëm që mbarë Europa po përjeton si pasojë e luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë ndaj një vendi demokratik europian. Për fat të keq pasojat e kësaj Lufte po ndihen anembanë vendeve tona duke filluar nga inflacioni te çmimet tronditëse të energjisë, edhe sot plot 1 vit nga fillimi i konfliktit.

Këto ngjarje në kontekstin e rrugëtimit të vendit tone drejt BE-së sigurisht çuan në miratimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin dhe Integrimin Europian 2022-2030 nga Qeveria Shqiptare në mbledhjen e ditës së djeshme ku Integrimi Europian është një nga prioritetet së bashku me luftën ndaj korrupsionit, energjinë, turizmin, bujqësinë dhe digjitalizimin.

Këto prioritete dhe momentumi në të cilën ndodhemi vis a vis procesit të integrimit në BE kërkojnë një rol më proaktiv të Kuvendit të Shqipërisë dhe për këtë qëllim kemi ngritur së bashku me opozitën Komisionin e Posaçëm për të rishikuar rolin e Kuvendit në këtë proces. Natyrisht roli i Kuvendit forcohet duke rishikuar rolin e dy organizmave të rëndësishëm të Kuvendit; Komisionit për Integrimin në BE dhe atë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian (KKIE), duke ju referuar modeleve më të suksesshme dhe mësimeve të nxjerra nga Shtete të cilat kanë kaluar para nesh këtë proces.

Ndryshimet ligjore të Ligjit nr 15 /2015 “Për Rolin e Kuvendit në Procesin e Integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian” të cilat priten të miratohen ditët në vijim në Komisionin e Posaçëm synojnë t’i japin Kuvendit rolin që i takon në procesin e integrimit nëpërmjet forcimit të mekanizmave monitorues dhe mbikëqyrës të strukturave përgjegjëse për negociimim me BE.

Raporti Vjetor i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE) për vitin 2023 është paraqitur në përputhje më parashikimet e Ligjit 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian” (neni 7 pika 1/g), dhe Rregullores së funksionimit të KKIE (neni 3, pika 1/g).

Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, bazuar në misionin e tij gjithëpërfshirës, i ka kushtuar vëmendje rolit të rëndësishëm që luan në drejtim të garantimit të bashkëpunimit jo vetëm ndërmjet forcave politike dhe institucioneve publike, por veçanërisht bashkëpunimit me shoqërinë civile, botën akademike dhe të gjitha grupet e interesit të shoqërisë.

Siç e përmenda edhe më sipër nëpërmjet ndryshimeve ligjore që do të propozohen në kuadër të Komisionit të Posaçëm do të forcohet edhe roli i KKIE duke rritur edhe përfaqësinë e shoqërisë civile në këtë organ këshillimor i cili do të kontribuojë me ekspertizën e nevojshme procesin e negociatave me BE.


Top Channel

Related posts

Greqia kërcënon me veto Shqipërinë

admin

Përfundon votimi në asamblenë e PS-së në Vlorë, zgjidhet kandidati për kryetar bashkie

admin

Shqetësuese mungesa e fuqisë punëtore në Shqipëri

admin

Leave a Comment