SHOWBIZ

Malcolm X; 58 vjet nga vrasja e ikonës së të drejtave civile në SHBA

“Malcolm X ishte figura kryesore e lëvizjes ‘Black Power’ çka i dha atij respekt të lartë”, thotë Prof. Derek Handley

Udhëheqësi i të drejtave civile në SHBA, Malcolm X, u vra 58 vjet më parë, por trashëgimia e tij vazhdon, veçanërisht në komunitetin e afro-amerikanëve.

“Malcolm X është po aq i rëndësishëm për lëvizjen e të drejtave civile sa Dr. Martin Luther King, Jr.”, tha Derek Handley, asistent profesor i anglishtes në Universitetin Wisconsin-Milwaukee.

Malik el-Shabazz, i cili me vone adoptoi emrin Malcolm X për të simbolizuar mbiemrin e tij të panjohur afrikan, predikoi të drejtat dhe fuqizimin e afro-amerikanëve në një kohë të historisë amerikane, kur shoqëria dominohej nga të bardhët.

Handley tha për rrjetin shtetëror turk Anadolu Agency gjatë një interviste telefonike se shumë nga ndjekësit e Malcolm X-it i shihnin mësimet e tij “si Bibla e tyre”, duke përqafuar filozofitë që nuk ishin dëgjuar më herët në Amerikë.

“Shumë njerëz me ngjyrë nuk kishin dëgjuar askënd të fliste për njerëzit e bardhë e të zinj sic bente Malcolm. Ai konsiderohej i patrembur”, tha Handley.

“Mënyra sesi fliste Malcolm, dhe si u bënte thirrje të rinjve me ngjyrë. Ai ishte simboli i burrërisë së njerëzve me ngjyrë në atë që ‘Unë nuk kam frikë nga askush, nuk kam frikë nga asnjë person i bardhë. Jo vetëm që nuk jam i barabartë me ju, por mund të jem më superior se ju’. Kjo ishte një mënyrë krejtësisht e re e të menduarit”, shton ai.

Malcom X e shpalli atë lloj retorike në shumë nga fjalimet e tij gjatë lëvizjes për të drejtat civile të viteve 1960, gjë që e bëri atë “objektiv për kritika” dhe i krijoi armiq të shumtë.

“Ne të gjithë jemi në të njëjtën varkë dhe të gjithë kritikohemi ashpër nga i njëjti njeri. Ai është njeriu i bardhë”, tha ai në një fjalim më 3 prill 1964. “Të gjithë ne kemi vuajtur këtu, në këtë vend, shtypjen politike nga duart e të bardhëve, shfrytëzimin ekonomik nga duart e njeriut të bardhë dhe degradimin social në duart e të bardhëve”, ishte shprehur Malcolm.

“Historia dhe media e pikturuan këtë narrativë të Malcolm X-it si promovuese e dhunës apo e fesë islame, kur nuk ishte dhunë ajo që ai po promovonte. Ishte vetëmbrojtje”, thotë Handley.

“Ai nuk po bënte thirrje për protesta të dhunshme. Malcolm X thoshte se nëse dikush ju godet me shkop në kokë, ju keni të drejtë të mbroni veten”, shtoi ai.

Handley vuri në dukje se Malcolm X dhe Martin Luther King janë figura të të drejtave civile, filozofitë e të cilëve zakonisht pikturohen me një goditje të brushës.

“Njerëzit duan ta ngrijnë M. King-në në kohë, duke treguar gjithmonë fjalimin e tij ‘Unë kam një ëndërr’”, thotë Handley.

“Në të njëjtën mënyrë, ata e ngrijnë Malcolm X-in në kohën kur ai ishte me Kombin e Islamit dhe promovoi vetëmbrojtje duke vënë në dukje padrejtësitë me të cilat përballen njerëzit me ngjyrë nga duart e të bardhëve. Ata ngrihen në kohë: Martin ishte i padhunshëm. Malcolm ishte i dhunshëm”, shprehet ai për dy aktivistët e njohur, të cilët janë eliminuar në atentate.

Malcolm X u bë i famshëm në vitet 1950 me ngjitjen e tij meteorike si anëtar i “Kombit të Islamit”. Ai zuri gjithnjë e më shumë vend në qendër të skenës së liderit të grupit, Elijah Muhamed, dhe deklaroi një qasje “muskuloze” ndaj lëvizjes për të drejtat civile te njerëzve me ngjyre, e cila ishte dukshëm në kontrast me filozofinë paqësore të M.L.King, duke bërë që publiku të portretizonte Malcolm X-in si udhëheqës ‘militant’.

“Kur i krahasoni të dy, King ishte më i pranueshëm për popullatën e moderuar të bardhë sesa Malcolm X”, tha Handley.

“Ata i konsideronin ndjekësit e Malcolm-it dhe i portretizonin muslimanët me ngjyrë me një narrativë të të qenit ‘i dhunshëm’ dhe i quanin ndjekësit e tij ‘racistë’, sepse ata ishin njerëzit që me të vërtetë i urrenin të tjerët. Dhe për shumë njerëz të bardhë, ta shihnin këtë ishte e frikshme”, shtoi Handley.

Më 21 shkurt 1965, Malcolm X u vra ndërsa po jepte një fjalim në sallën e Ballos Audubon në New York.

Tre burra me ngjyrë u arrestuan për vrasjen e Malcolm X-it, por siç rezultoi më vonë dy prej tyre nuk kishin qenë fare në skenën e të shtënave atë ditë.

Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhattan-it në Neë York rihapi çështjen dhe të dy të dënuarit gabimisht u shfajësuan dhe u liruan nga dënimet në nëntor 2021.

Gjatë gati gjashtë dekadave që nga vrasja e tij, Handley tha se narrativa e filozofive të të drejtave civile të Malcolm X-it ka ndryshuar në lidhje me mënyrën se si publiku e sheh atë, pjesërisht sepse shoqëria përfundimisht ka parë mënyrat në të cilat M.King dhe Malcolm X ndikuan te njëri-tjetri.

“Trashëgimia e Malcolm X-it sot është fakti qe u ka thene masave ‘ju jeni dikush, keni krenari, keni këtë nocion të fuqisë ekonomike të njeriut me ngjyrë’”, tha Handley.

“Ai ndikoi në lëvizjen e ‘fuqisë së zezë’, lëvizjen artistike të të zinjve, lëvizjen studentore të njerëzve me ngjyrë “, shprehet ai.

“Çdo jetë është e rëndësishme. Nuk ka rëndësi nëse je ish-mashtrues apo shisni cigare ilegalisht. Çdo jetë ka rëndësi, dhe kur ajo jetë i hiqet dikujt padrejtësisht, atëherë duhet bërë diçka për ta ndaluar atë, të protestohet, të kërkohet që kjo të mos ndodhë më”, u shpreh Handley për Anadolu Agency.