SPORT

Shega Hashani dhe Nahom Asgedom kampion të turneut “Dita e Pavarësisë”

Në Palestrën e Sporteve në Junik, Federata e PingPongut e Kosovës në bashkëpunim me Kpp Juniku dhe me mbështetje nga MKRS dhe Kuvendi Komunal Junik, organizuan turneun e seniorëve “Dita e Pavarësisë”, që njëherit ishte aktiviteti i parë garues dhe i cili ishte pjesë e kalendarit shtetëror për shënimin e 15 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Turneu u zhvillua në kushte shumë të mira organizative dhe në një atmosferë tejet sportive, me pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria dhe Anglia, ku u zhvilluan shumë ndeshje interesante që u ndjekën nga afër edhe nga kryetari i komunës së Junikut Ruzhdi Shehu, Zëvendës Ministrja e MKRS-së, Daulina Osmani si dhe përfaqësues të drejtorive të komunës së Junikut, njofton FPPK, shkruan Shqip.com.

Pas hapjes zyrtare, filluan garat në grupe e pastaj edhe faza e eliminimeve. Në kategorinë e meshkujve ishin 16 grupe kurse në kategorinë e femrave 4 grupe e që në total ishin 135 pjesëmarrës nga 35 klube të ndryshme.

Në kategorinë e femrave në gjysmëfinalen e parë u takuan Alma Mehmeti dhe Leoresa Imeri ku ndeshja ishte shumë e baraspeshuar por në fund Leoresa ishte më e përqendruar dhe arriti ta fitoj ndeshjen. Në gjysmëfinalen e dytë u takuan Lenë Osmani dhe Shega Hashani e cila poashtu ishte ndeshje tejet interesante dhe që përfundoi me rezultat të ngushtë në të mirë të Shegës 3 me 2.

Në finale Shega tregoi se jo rastësisht është fituese e disa titujve në kategorinë e seniorëve ku arriti ta mposhtë Leoresën me rezultat të pastër 3-0 dhe u shpall kampione e këtij turneu.

Në kategorinë e meshkujve në gjysmëfinalen e parë ashtu siq pritej u takuan dy bashkëlojtarët nga “Lidhja e Prizrenit”, Kreshnik Mahmuti dhe Blend Hajdari derisa Kreshniku nuk lejoi befasi pasi e përfundoi ndeshjen me rezultat 3-0. Në gjysmëfinalen e dytë u takuan Fatih Karabaxhaku dhe transferi i ri i klubit Kpp Priping, lojtari anglezi Nahom Asgedom i cili arriti ta fitoj ndeshjen me rezultat 3-1. Në finale Kreshnik Mahmuti ishte duke e menaxhuar me sukses ndeshjen drejt titullit kampion mirëpo nuk arriti ta konkretizoj deri në fund dhe ishte Nahom Asgedom ai që arriti ta përmbys rezultatin nga 2-0, 11-10 në 3 me 2 në sete dhe për ta fituar kështu titullin e parë në arenën e pingpongut kosovar.

Rezultatet finale:

Femrat

1.Shega Hashani

2.Leoresa Imeri

3.Alma Mehmeti

3.Lenë Osmani

Meshkujt

1.Nahom Asgedom

2.Kreshnik Mahmuti

3.Fatih Karabaxhaku

3.Blend Hajdari

Related posts

Përfundon me barazim përballja e pretendentëve për titull

admin

Dushku dhe Medunjanin, pjesë e takimit në Lisbonë në kuadër për projektit Promise

admin

Ancelotti mund të rikthehet në Itali

admin

Leave a Comment