Tre persona tani thuhet se kanë vdekur pas një tërmeti me magnitudë 6.4 që goditi Turqinë jugore të hënën, disa javë pasi një tërmet vdekjeprurës shkatërroi rajonin.
Ministri i Brendshëm Süleyman Soylu tha gjithashtu se 213 persona ishin plagosur.
Agjencia turke e fatkeqësive dhe emergjencave Afad tha se tërmeti ndodhi në orën 20:04 me kohën lokale (17:04 GMT).
Një tërmet me magnitudë 7.8 goditi të njëjtën zonë më 6 shkurt, duke vrarë më shumë se 44,000 njerëz në Turqi dhe Siri.
Të vrarët nga lëkundjet e së hënës u gjetën në Antakya, Defne dhe Samandagi, tha Soylu, duke u bërë thirrje njerëzve të mos hyjnë në ndërtesa potencialisht të rrezikshme.
Tërmeti i së hënës goditi në afërsi të kufirit Turqi-Siri dhe grupi i mbrojtjes civile të Helmetave të Bardha tha se më shumë se 100 njerëz u plagosën në Siri, me ndërtesa të shembura dhe panik të përhapur.
Fondacioni i Shoqërisë Mjekësore Siriane Amerikane tha se pesë nga spitalet e tij morën të paktën 30 persona me lëndime nga tërmeti i fundit, por shtoi se dëmet në objektet e saj mjekësore “duket të jenë minimale”.
Mësohet se tërmeti është ndjerë edhe në Egjipt dhe Liban.
Në Turqi ka frikë dhe panik teksa vazhdojnë të vijnë pasgoditje të vogla. Linjat e ambulancave dhe ekuipazheve të shpëtimit po përpiqen të arrijnë në disa nga zonat më të prekura, ku muret e ndërtesave të dëmtuara rëndë janë shembur.
Një numër strukturash që mbetën në këmbë pas lëkundjes së 6 shkurtit tani janë shembur, duke përfshirë një urë. Shumë çarje në rrugë janë bërë plagë të thella duke e bërë më të vështirë për shërbimet e urgjencës të arrijnë atje ku mund të nevojiten, raporton BBC.