AKTUALE

PËRJETIME NË SOLEMNITETIN E KULTIT TË PLISIT

Shkruan: Prof. Zhani Ciko

Tani,me përjetimin së dyti të emocioneve nga Koncerti solemn i Ansamblit Nacional të këngëve dhe valleve shqiptare në Maqedoninë e veriut,ndjehesh në platenë e Teatrit Shqiptar në Shkup jo më në një event arti,por shumë më tepër,në gjallimin e një kulti të ri,Kulti i Plisit.
Ideuesi i Kultit,zoti Artan Grubi dhe si personalitet studimor dhe si anëtar i lartë qeverisës,me mënçuri dhe dije ka shndëruar një simbol identitar të stërlashtë në një blatim festiv të ri,të denjë për tu ngritur në podiumin e shenjtë të Visareve të Kombit.
Kur ky akt madhor zen vend,siç dhe ka zënë menjëherë në Kronikën e festiviteteve nacionale,ai pritet të përsëritet në çdo kalendar në datën e vet, duke u ligjëruar si vetë datimet që i ka vendosur vlera dhe koha.Ansambli ynë i përkushtuar e ka përvetësuar këtë shans duke e denjësuar atë me një ceremonial arti të përkorë veç muzikor-koreografik, njëheri dhe teatror e videotik.Vetëm kështu do ta përjetonim solemnitetin si ngjarje arti,do emocionoheshim në komunitetin publik sa nga prezantimi i saktë i simbolit,fjala e artë e teatrorit,gjithëçka muzikore e performuar dhe në krye analiza historike e politike e autoritetit madhor,si kulmim.
Ky përjetim nuk mund të ishte ndryshe,veç se i gjithë kolektivitetit pjesmarës, që u zbardh nga pastërtia e Plisit të stërlashtë-simbol të bardhësisë së synimeve dhe ndershmërisë së tyre që nga përzgjedhja e tij
në shekuj.

Asgjë s’do kishte tingëlluar në lartësinë e duhur të ritualit pa seriozitetin dhe mjeshtërinë artistike të gjithë pikave të programit.Ky përgjithësim i thënë pa mëdyshje nuk ka dalë nga mungesa e analizës kritike,por përkundrazi nga përgjegjësia e plotë e rradhë shkruesit dhe ndjekja objektive e rrugëtimit maramendës të Ansamblit gjatë këtyre pak viteve të gjallimit të tij,që nuk janë as sa gishtat e njërës dorë.Për të shprehur këtë të vërtetë,s’ka nevojë të jesh dashamirës,mjafton të jesh objektiv.
Shikoni afirmimin e tij në jetën artistike të vendit,programacionin dhe prezencën me produktet e veta autentike në programet televizive mbarkombëtare,CD e pasuara nga monografi prezantuese të portreteve më të shquara të muzikës autentike dardane të realizuara në këto tre vite,qarkullimet e vlerave të etnosit kudo ku është dashur,dhe kurora e gjithë përkushtimit,vlerësimi në majë në eventet ndërkombëtare ku askush s’të fal poena vlerësimi jashtë lupës së profesionalizmit të vërtetë.
Këtë verifikim aftësor në një skaner ndërkombëtar të pa diskutueshëm të ndërmarrë me vullnetin e vet nga ky organizëm vetëm tre vjeçar,sot nuk e gjen më tek ata homologë që festojnë gjysëm shekulli egzistence skenike.Vetshpallja e vlerës nuk është e besueshme,madje më tepër tingëllon si mbuluese e së vërtetës.
Arritjet e verifikuara kësisoj janë vlerësuese të përzgjedhjes profesionale të artistëve,rrugëtimit dhe niveli të tyre aktual dhe pa mëdyshje drejtimit shumë të suksesshëm të drejtorit dhe artistit Shkodran Tola ,si dhe mbështetjes së strukturave shtetërore që e kanë pikasur atë dhe besojnë në aftësinë e tij drejtuese dhe krijuese.
Në këtë përsihatje mbi konceptimin e përgjithshëm të ritualit solemn,gjithëçka buroi nga lënda e parashtruar që u derdh denjësisht në skenë.

Hapja e siparit,pas minutave të frymëmbajtjes së natyrëshme që pushton sallën pas hyrjes së personaliteteve të shumta qeveritare, zbuloi altarin sugjestionues të plisave arbërorë të vendosur në lartësinë dominuese të skenës, një instalacion plisash normalë që në bashkësi kompozonin Plisin monumentor e simbolik. Rrezatimet ngjyrosëse të herë pas herëshme krijonin dominancë gjatë gjithë”shenjtërimit”të tij në Altar.Një gjetje unikale që dridhëroi gjithë kohën prezentët në këtë ritual.
Vallja e risuar e një çifti vallëtarësh me motivin e Shotës krijoi një pikë tërheqëse dhe të gëzuar menjëherë. Monologu i rrëndë i dalë nga” biografia” e lashtë e Plisit,deklamuar mjeshtërisht nga i mirnjohuri Pajazit Murtishi,mbylli me orkestroren”Xhamadani”,si simboli vijues në veshje, këtë “Uverturë”programi.
Prezantimi i Ansamblit të ftuar”Drenica”që solli të gjallë një relike Kosove në ditën fatlume të pavarësisë së saj,u realizua përmes ekzekutimit të përbashkët të grupit të burrave drenicarë me burrat e ansamblit vendas,për të ruajtur një tingëllim pa diferencime.
Monologu dramatik mbi heroin Adem Jashari para aktit të flijimit,pasuar me këngën kreshnike kushtuar Atij ishte dridhërues,realizuar bindëshëm nga Isa Veliu dhe grupi,i cili përmbylli mesazhin përshëndetës me këngën epike për Jakup Ferrin, që u prit ashtu si dhe gjithë performanca, me duartrokitje të zjarrta nga publiku.

Pas këtij përjetimi artistik të me rrezatim të fortë,natyrshëm erdhi ftesa e moderatorit për të dëgjuar Fjalën e mënçur të Kryetarit Ali Ahmeti ku ndihej ngrohtësia nga mjedisi frymëzues i krijuar.Si gjithmonë nuk munguan në fjalën e tij theksimet racionale mbi temën,dakordësia mbi konceptimin e ritualit rishtor të Plisit Arbëror në ditën me simbolikë të veçantë si dhe vlerësimi i lartë i Ansamblit Nacional,si akt i përjetimeve politike të reja në vend.Fjala e kryetarit Ali Ahmeti,sigurisht që do të gjejë hapsirën adekuate në Dossierin historik të Ditës së Plisit.Ajo ashtu si u mbajt nga oratori ngazëlloi natyrshëm skenën ,sa dhe akti i veçantë i drejtorit dhe artisti Shkodran Tolaj për ti shprehur mirnjohjen atij si askush tjetër, përmes dhurimit të portretit në bronx të kryetarit, për ideimin dhe ngritjen e Ansamblit,në emrin e vet dhe të artistëve.

Vijimi i programit ishte i vrullshëm.Grupi i valleve e ndezi”Vallen e Dibrës”duke demostruar krahas gjallërisë së lëvizjeve dhe unifikimin e tyre drejt një perfeksioni që burron nga talenti dhe përvetësohet me punë shumë.
“Këtu kam folenë”,një baladë epike si temë dhe lirike për sa i takon mënyrës vokale të këndimit.Për solisten e mirnjohur Besarta Murtezani kalimi nga të kënduarit në grupin vokal në grupin e solistëve,ku ajo shquhet për realizimet e saj,kujtoj këngët polifonike,kalimi në këtë baladë demostroi shtrirjen e gjërë të zërit të saj të veçantë.
“Mora fjalë” interpretuar me atë aftësi të unifikimit të zërave solistikë që është rezultat i një kërkese të mishëruar me orë provash të vazhduara gjatë.Ashtu si dhe tek grupi i valleve,unifikimi i vokalit është cilësi që do ruajtur dhe përsosur si vlerë e rëndësishme profesioni.
Programi kulmoi me”Prite Azem Galicën”kënduar nga solisti Nexhat Suma,i rrallë në specifikën zanore dhe i fuqishëm në përshkushmërinë interpretuese,bashkë me grupin e vlerësuar më lart.
Pika përmbyllëse e Ditës së Plisit,erdhi më e plotë me krijimin e ri koreografik”Baresha”krijuar nga Feim Leka dhe Agron Syla. Është një krijim i një valle origjinale gati një tabllo vallëzuese,ku Baresha vjen si përgjithësim i virtuteve femërore të lartësive malësore.Ajo vjen si vlerë e arbërve të sotëm,por diku gjejmë dhe portretin e simbolizuar nga kompozitori Rexho Mulliqi,vetëm përmes një citimi modal,që na kujton menjëherë mitiken Pagarusha.
Duke menduar se ky krijim është tashmë pronë e Ansamblit si dhe Dibra e Gjergj Prevazit dhe të tjera,vlerëson synimin që Ansambli Nacional të zejë një vend të veçantë në gjerdanin e ansambleve shqiptare kudo ato ndodhen si shprehje e mundësive që ofron folklori ynë i larmishëm sa s’ka,nga të kënduarit vetësisht deri tek bashkëtingëllimi i grupuar,tipare që askund si gjen në këtë shumëllojshmëri.Shkodran Tola u vetflijua për shkak të limitit kohor në këtë ditë kulti,por “Kosova-Kosova”e tij e nxori kokën nën duartrokitjet e zjarrta të publikut në sallë dhe artistëve në skenë.

Me një Urim të madh dhe shumë të sinqertë për këto zhvillime tepër pozitive,shkruajta këto rradhë

Miqësisht
Zhani Ciko

Tiranë,20 shkurt 2023

Related posts

Specialistët privatë vazhdojnë me grevën, thonë se kanë presione nga klinikat dhe kolegët më të vjetër

Gjyla Halili

Tërmeti në Turqi, Ahmeti: Ndaj dhimbjen e thellë me popullin turk

admin

Red is a must-have trend this season and not just for Christmas

admin

Leave a Comment