Të dashur miq!
Kosova u shpall shtet i pavarur më 17 shkurt 2008 me deklaratën e Kuvendit të vet.
Këtë vit Republika e Kosovës do të festojë 15 vjetorin e Pavarësisë!
I urojmë popullit shqiptar të Kosovës të festojë gëzuar brez pas brezi lirinë e pavarësinë e vet të merituar!
Për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.
Më 22 korrik të vitit 2010, kjo gjykatë, me një Vendim Këshillëdhënës, rikonfirmoi me 10 vota pro dhe 4 vota kundër, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të ligjit ndërkombëtar.
Kryetari i Gjykatës Hiasashi Ovada tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Sipas gjykatës, nga të gjitha të dhënat, pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur as rezolutën 1244 dhe as kornizën kushtetuese të UNMIK-ut.
Të nderuar miq!
Kosova ështe njohur nga shumica e shteteve në botë, por ende ka shtete që nuk e kane njohur.
Mendojme se FEDERATA INTERNACIONALE E REZISTENCËS – FIR, mund të ndikojë pozitivisht.
Organizatat e Veteranëve, antare të FIR të atyre vendeve, qeveritë e të cilëve nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet më vete, mund të shprehen në mbrojtje të të drejtës ndërkombëtare të vetqeverisjes së popullit shqiptar të Kosovës.
Ato mund të ndikojnë tek qeverite e vendeve të tyre që të njohin Kosovën shtet të pavarur.
Ky veprim do të ishte një urim i bukur në këtë përvjetor jubilar.
Kryesia e Organizates se Veteranëve dhe Pasardhësve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”
Sekretari i Pergjithshëm
Veli Myftari
N/Kryetare
Elidiana Canaj
Tiranë, 16.02.2023