Pas Ligës së kampionëve, sot në program janë tetë ndeshje të Ligës së Evropës. Pa dyshim që njëra prej tyre është në qendër të vëmendjes.
Barcelona e pret në shtëpi Manchester Unitedin. Kjo nuk do të jetë aspak një sfidë e lehtë për katalonasit. Në fakt, Barcelona cilësohet favorite ndaj Manchester United. Katalanasit ndodhen në një formë shumë të mirë dhe kryesojnë La Ligan me 56 pikë, 8 më shumë se vendi i dytë që është Real Madrid. Djemtë e Xavit kanë pasur një formë shumë të mirë, pasi në pesë ndeshjet e fundit në kampionatin spanjoll, ata regjistrojnë vetëm fitore.
Nga ana tjetër, Manchester United po ndjek një ecuri pozitive, pasi që nga ardhja si trajner e Erik ten Hag, “Djajtë” janë zgjuar dhe aktualisht në Premier League ata pozicionohen në vendin e tretë me 46 pikë, 5 pikë më pak se Arsenali dhe Mancheter City.
Xavi pritet të ketë sot dy mungesa të rëndësishme si Busquets dhe Dembele. Por, mungesat ndihen më shumë nga pala angleze. Ten Hag ka një mori mungesash. Eriksen, Martial, Lisandro Martinez, McTominay, Sabitzer dhe Van de Beek. Në pikëpyetje është gjendja e Antony, i cili nuk dihet nëse do të jetë apo jo në dispozicion të teknikut holandez.