BOTA

ShBA: objektet e rrëzuara nuk janë jashtëtokësore

Më pak se një javë pasi Shtetet e Bashkuara goditën dhe rrëzuan atë që zyrtarët e quajtën një balonë spiune kineze, avionët ushtarakë amerikanë rrëzuan edhe tre objekte të tjera me prejardhje të paditur.

Zyrtarët kinezë thonë se nuk munden të thonë nëse objektet e reja të rrëzuara i përkasin Kinës, por thonë se Shtetet e Bashkuara po veprojnë me reagim të tepruar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell njofton se ndërsa Uashingtoni është në kërkim të përgjigjeve, një gjë është tashmë e qartë: Marrëdhëniet Kinë-SHBA janë dëmtuar.

Ka shumë pikëpyetje për tre objektet e paidentifikuar fluturues që avionët ushtarakë amerikanë rrëzuan brenda pak ditëve. Një gjë Shtëpia e Bardhë mundet ta thotë me siguri:

Nuk ka asnjë tregues për aktivitet jashtëtokësor gjatë këtyre rrëzimeve të fundit. Donim të siguroheshim se populli amerikan është në dijeni të kësaj, se ju të gjithë e dini këtë; është e rëndësishme që ta thonim”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

Shtëpia e Bardhë ofroi një teori se përse ushtria po dikton më shumë nga këto mjete fluturuese: sepse këto janë objektet për të cilat po gjurmon.

Nëse i përshtat parametrat për të parë për diçka të caktuar, ka më shumë gjasa që do ta gjeni këtë gjë të caktuar”, tha John Kirby, nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Të premten, më pak se një javë pas rrëzimit të balonës kineze pranë bregut lindor të Shteteve të Bashkuara, avionët ushtarakë amerikanë rrëzuan një objekt të paidentifikuar që fluturonte mbi Alaska. Të shtunën, Shtetet e Bashkuara bashkëpunuan me ushtrinë kanadeze për të rrëzuar një tjetër objekt mbi territorin Yukon. Dhe të dielën, një objekt i tretë u rrëzua mbi Liqenin Huron.

Njerëzit nuk duhet të kenë panik“, tha zoti Kirby.

Nuk mendojmë se këto objektet më të fundit përbënin ndonjë rrezik për njerëzit në tokë, dhe jemi përqëndruar tek konfirmimi i natyrës dhe qëllimit të tyre”, tha zoti Kirby.

Por ndërsa vazhdojnë kërkimet për gjetjen e së vërtetës, Kina po reagon me zemërim për atë që e quan ndëshkim të padrejtë nga Shtetet e Bashkuara ndaj balonës së motit që pati dalë nga kursi dhe përshkoi të gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara.

Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin, akuzoi Uashingtonin për vendime të nxituara. Ai nuk tha nëse tre objektet e fundit ishin kineze, por bëri një seri akuzash ndaj Uashingtonit.

Abuzimi me forcën i Shteteve të Bashkuara, reagimi i tepruar dhe përshkallëzimi i situatës bien ndesh me frymën e ligjit ndërkombëtar dhe praktikat ndërkombëtare. Tashmë po e fryjnë, ekzagjerojnë dhe rëndojnë (situatën), duke e përdorur këtë si bazë për të vendosur sanksione të paligjshme ndaj entiteteve dhe organizatave kineze. Kina është tepër e pakënaqur dhe e kundërshton këtë me forcë”, tha zëdhënësi kinez.

Shtëpia e Bardhë tha se nuk është planifikuar ndonjë bisedë mes Presidentit Joe Biden dhe Presidentit kinez Xi Jinping, dhe zoti Kirby tha se drejtuesit ushtarakë kinezë nuk janë të interesuar të bisedojnë me sekretarin amerikan të mbrojtjes. Ai gjithashtu përsëriti qëndrimin se Shtetet e Bashkuara nuk kanë mjete përgjimi në hapësirën ajrore të Kinës.

Analistja Emily Harding thotë se kjo krijon tensione me Pekinin dhe ngre pikëpyetje serioze për Uashingtonin – pyetje të cilave zoti Kirby nuk ishte në gjendje t’u jepte përgjigje kur u pyet të hënën.

Mendoj se mesazhi që i dërgohet Pekinit është ‘Hej, ju kapëm. E dimë se ç’po bëni. Lëreni tani’. Mendoj se pikëpyetja më interesante tashmë për Pentagonin do të jetë, cilat janë rregullat operacionale për këto? Papritur zbulojmë këto objekte që lëvizin mbi pjesën veriore të Shteteve të Bashkuara – dhe a do të përpiqemi të rrëzojmë çdonjërin prej tyre që qëndron mbi hapësirën ajrore, apo do të gjejmë një mënyrë shumë më të mirë për të përcaktuar se çfarë është dhe çfarë nuk është kërcënim për sigurinë kombëtare?”, thotë zonja Harding.

Dhe teoritë e konspiracionit që qarkullojnë në internet ngrejnë një tjetër shqetësim, thotë ajo.

Kur kemi kaq pak informacion për publikun, është shumë e lehtë për keqinformimin dhe dezinformimin, për teoritë e konspiracionit që të përhapen. Ka patur edhe humor dashamirës për këtë në internet gjatë fundjavës, por në të njëjtën kohë nuk duhet spekuluar dhe nuk duhet përhapur dezinformimi i mundshëm”, thotë zonja Harding.

Kjo lë të hapur pikëpyetjen më të madhe: kur autoritetet të kenë mësuar se çfarë janë këto objekte dhe se cila ishte veprimtaria e tyre – atëherë si do të veprohet?

Related posts

Zyrtarët izraelitë dhe palestinezë shprehin ‘gatishmëri’ për të punuar për të ndaluar dhunën

admin

Dëgjohen zhurma nënujore në kërkim të nëndetëses së zhdukur

admin

Portugali, Papa nxit studentët të punojnë kundër pabarazisë

admin

Leave a Comment