Ministria e arsimit dhe shkencës në bashkëpunim me Sektorin për arsim të Komunës së Kumanovës, kanë organizuar dialogun social me moton “Mëso me mençuri, puno profesionalisht“, që për qëllim ka ngritjen e numrit të nxënësve në shkollat e mesme profesionale dhe inkuadrimin e kuadrove profesionale në kompanitë e Kumanovës.
“Fillojmë në qytetin e Kumanovës, me fushatën për të promovuar arsimin e mesëm profesional dual “Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm” dhe bashkërisht fillojmë dialogun social midis pushtetit lokal, midis kompanive. Gjithashtu, fillojmë këtë dialog me mbështetjen e odave ekonomike, por kemi edhe mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës që është i rëndësishëm. Pas viteve të mëparshme të suksesshme në këtë fazë, kemi rezultate konkrete ku numri i nxënësve në paralelet duale është rritur, por gjithashtu edhe numri i kompanive është rritur. Ky është një lajm mirë. Duhet të vazhdojë qeveria që ta mbështesim këtë fushatë, sepse sa e dimë një ndër problemet që është në shoqëri është mospasja e kuadrit profesional dhe si problem që është në shoqëri është për secilën ditë. Nga diskutimet do të shihet se cilat drejtime janë deficitare.”, – deklaroi ndër të tjera ministri i MASH, Jeton Shaqiri.
Me ndërtimin e masave dhe paketave ekonomike do të krijohen edhe lehtësime për kompanitë me inkuadrimin e kuadrove profesionale, paralajmëron ministri, Shaqiri.
“Duhet vazhduar të punojmë edhe më tutje duke parë mundësinë e ndërtimit të masave ekonomike ose paketave ekonomike që këto gjëra që i themi konkretisht të jenë më të lehtësueshme dhe të kenë lehtësime për kompanitë. Dhe element tjetër i rëndësishëm është që më në fund Ligji për arsim të mesëm dhe arsim të mesëm profesional është drejt në përfundim e sipër. Dhe si ligj, i cili tashmë do të jetë në propozim qeveritar dhe parlamentar do të shohim rrugën për realizimin e mirë të asaj që ka të bëjmë me arsimin e mesëm profesional, gjegjësisht arsimin e mesëm profesional dual.”, – tha pos tjerash ministri, Jeton Shaqiri.
Fushata e dialogut social “Mëso me mençuri, puno profesionalisht” është mbështetur nga Ambasada e Zvicrës në RMV dhe odat ekonomike në vend.