Sot, më 27 nëntor 2026, ambasadori i Republikës së Turqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sh.T. z. Alper Aktaş, realizoi një vizitë në Myftininë e BFI-së në Tetovë, ku u prit nga myftiu dr.Selver Xhemaili dhe bashkëpunëtorët e tij dr. Mahmud Emini dhe shefi kabinetit Muhaned Berzati.
Paraprakisht, ambasadori Aktaş fali namazin e xhumasë në Xhaminë e Larme të Tetovës, një ndër monumentet më të çmuara të trashëgimisë fetare, kulturore dhe arkitekturore islame në vendin tonë.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, tema qendrore e takimit ishte ruajtja, mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë fetare e kulturore në Tetovë, me theks të veçantë në rëndësinë e konservimit të monumenteve historike dhe përcjelljes së këtyre vlerave te brezat e ardhshëm.
Takime të këtilla institucionale kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe në thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha me interes të përbashkët.
Myftinia e Tetovës shpreh mirënjohjen dhe konsideratën e saj të lartë për vizitën e ambasadorit Aktaş, me dëshirën që bashkëpunimi institucional të vazhdojë të thellohet edhe në të ardhmen.
Myftinia e BFI-së – Tetovë


