Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, mori pjesë në promovimin e librit “Kosova, lufta e heshtur”, të autorit dhe diplomatit Zef Mazi, organizuar nga Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë.
Me këtë rast, Ahmeti vlerësoi kontributin e diplomatit Zef Mazi në diplomacinë shqiptare dhe në përfaqësimin e interesave kombëtare në arenën ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë e përvojës dhe dëshmive të tij për dokumentimin e historisë sonë kombëtare.
Libri trajton dimensionin diplomatik të çështjes së Kosovës gjatë viteve 1991–1999, përpjekjet për ndërkombëtarizimin e saj, si dhe rolin e faktorit ndërkombëtar në rrugëtimin drejt lirisë.
Gjatë këtij aktiviteti u theksua se çlirimi i Kosovës ishte rezultat i ndërthurjes së luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me përpjekjet politike dhe diplomatike në arenën ndërkombëtare.
Botimi “Kosova, lufta e heshtur” përbën një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e zhvillimeve diplomatike të asaj periudhe dhe në ruajtjen e kujtesës historike për brezat e ardhshëm.

