Faton Ahmeti ka reaguar publikisht ndaj një lajmi të publikuar në media, duke e cilësuar atë si të pavërtetë dhe duke paralajmëruar masa ligjore ndaj portalit që e ka publikuar.
Në reagimin e tij, Ahmeti thotë se e demanton kategorikisht informacionin, duke akuzuar median për shpifje dhe keqpërdorim të emrit të tij për qëllime politike.
“Meqenëse ‘tregu’ mediatik menaxhon si me informata, ashtu edhe me dezinformata, e demantoj kategorikisht këtë lajm. Shpifjet dhe keqpërdorimin e emrit tim për qëllimet tuaja politikante dhe të ulëta nuk ua kam borxh dhe nuk do t’i toleroj”, deklaron Ahmeti.
Ai sqaron se aktualisht ushtron funksionin e Shefit të Kabinetit të Kryetarit të BDI-së dhe është njëkohësisht nënkryetar i kësaj partie. Sipas tij, angazhimet politike nuk i lënë hapësirë për ndonjë punë tjetër me orar të plotë.
Ahmeti thekson se nuk është deputet, këshilltar, bartës i ndonjë funksioni tjetër publik dhe as pronar biznesi, ndërsa mohon të marrë pagë nga ndonjë institucion apo subjekt tjetër.
“Paga ime në parti është e ligjshme, publike dhe e verifikueshme, si dhe shumëfish më e ulët se shuma që ju pretendoni. Ajo financohet nga mjetet që partitë politike përfitojnë nga buxheti i shtetit për funksionimin dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë së tyre”, shprehet ai.
Në fund, Ahmeti i ka bërë thirrje portalit që ka publikuar informacionin ta përgënjeshtrojë atë publikisht dhe të kërkojë falje, duke paralajmëruar se në të kundërtën do të ndjekë rrugë ligjore.
Ja postimi plotë:
Meqenëse “tregu” mediatik menaxhon si me informata, ashtu edhe me dezinformata, e demantoj kategorikisht këtë lajm. Shpifjet dhe keqpërdorimin e emrit tim për qëllimet tuaja politikante dhe të ulëta nuk ua kam borxh dhe nuk do t’i toleroj.
Unë jam Shef i Kabinetit të Kryetarit të BDI-së dhe Nënkryetar i BDI-së. Puna pranë partisë dhe kryetarit, si dhe angazhimet e mia politike, nuk lënë hapësirë për ndonjë angazhim tjetër me orar të plotë.
Nuk jam deputet, këshilltar, bartës i ndonjë funksioni tjetër publik dhe as pronar i ndonjë biznesi. Nuk marr pagë nga asnjë institucion apo subjekt tjetër. Paga ime në parti është e ligjshme, publike dhe e verifikueshme, si dhe shumëfish më e ulët se shuma që ju pretendoni. Ajo financohet nga mjetet që partitë politike përfitojnë nga buxheti i shtetit për funksionimin dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë së tyre.
I bëj thirrje portalit që të mos spekulojë. Ta përgënjeshtrojë publikisht informacionin e pavërtetë dhe të kërkojë falje publike. Në të kundërtën, do të shfrytëzoj të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për mbrojtjen e dinjitetit, integritetit dhe reputacionit tim personal e profesional.
