Kryetari i Degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar me bankën në fjalë, duke ngritur shqetësime për pasojat që po përjetojnë qytetarët dhe familjet që kanë depozitat e tyre në këtë institucion financiar.
Rexhepi thekson se qytetarëve u ishte premtuar një bankë shqiptare, ndërsa sot ata përballen me një realitet krejt tjetër, me kufizime në qasjen ndaj parave të tyre dhe pasiguri për kursimet familjare.
Sipas tij, kjo situatë ngre pikëpyetje serioze për premtimet politike të VLEN-it dhe përgjegjësinë e atyre që e promovuan këtë projekt.
“Sa shumë familje sot po përballen me vështirësi, sepse nuk mund t’i përdorin lirshëm paratë e tyre, të cilat i kanë fituar me djersë e mund. Për shumë prej tyre, këto para janë kafshata e gojës dhe siguria e vetme ekonomike”, thekson Rexhepi.
Ai kërkon transparencë të plotë për rrethanat në të cilat banka hyri në tregun e Maqedonisë së Veriut, si dhe përgjegjësi institucionale për situatën e krijuar.
Rexhepi ngre edhe çështjen e mospërputhjes ndërmjet premtimeve politike dhe realitetit, duke kërkuar përgjigje se kush do të mbajë përgjegjësi për shqetësimin dhe pasigurinë që po përjetojnë klientët.
“Qytetarët nuk meritojnë propagandë dhe premtime boshe. Ata meritojnë siguri për paratë e tyre, transparencë dhe përgjegjësi nga institucionet”, përfundon Bajram Rexhepi, kryetar i Degës së BDI-së në Tetovë.
