AKTUALE

Behixhudin Shehapi: Tetovës i nevojiten më shumë aktivitete kulturore dhe promovim i trashëgimisë

Kryetari i Shoqatës Humanitare „El Hilal“, Behixhudin Shehapi, ka shprehur mirënjohjen e tij për Shoqatën për Zhvillim Qytetar „Për Tetovën“, e cila organizoi një ngjarje kulturore me rastin e promovimit të projektit „Smart Heritage Tetovo“, duke vënë në pah rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore të qytetit.

Shehapi, i cili ishte pjesë e panelit të diskutimit, vlerësoi se Tetovës i nevojiten më shumë aktivitete dhe organizime të kësaj natyre, të cilat nxisin interesimin e qytetarëve për artin, historinë dhe trashëgiminë kulturore.

Gjatë diskutimit, ai foli për rëndësinë e ruajtjes së monumenteve dhe vlerave historike, si dhe për mundësitë që ofron teknologjia bashkëkohore për prezantimin dhe promovimin e tyre te publiku i gjerë.

Një vëmendje të veçantë Shehapi i kushtoi potencialit të trashëgimisë kulturore për zhvillimin e turizmit kulturor, si dhe rolit të saj në forcimin e komunikimit dhe mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme etnike dhe fetare.

Ai theksoi se Tetova përfaqëson një hapësirë me trashëgimi të pasur historike dhe kulturore, e formësuar nga ndikime të ndryshme qytetërimore ndër shekuj. Sipas tij, kjo pasuri duhet të ruhet, të dokumentohet dhe të promovohet si vlerë e përbashkët e qytetit.

Në këtë kontekst, projekti „Smart Heritage Tetovo“ paraqet një mundësi për ta bërë trashëgiminë kulturore më të qasshme për qytetarët dhe vizitorët, duke shfrytëzuar teknologjinë moderne dhe duke krijuar hapësirë për iniciativa të reja në fushën e turizmit kulturor.

Ngjarja u mbajt në ambientet e Europa House, pranë Pallatit të Kulturës në Tetovë. Në panel morën pjesë Agon Mehmedi, i cili prezantoi projektin, dhe Luljeta Abazi, e cila foli për monumentet dhe vlerat historike të qytetit. Diskutimi u moderua nga Elmedina Abdullahu.

Promovimi i trashëgimisë kulturore dhe organizimi i aktiviteteve të tilla mbeten të rëndësishme për ruajtjen e identitetit historik të Tetovës, nxitjen e turizmit kulturor dhe forcimin e bashkëjetesës në një mjedis të pasur me diversitet etnik, fetar dhe kulturor.

Banner

Related posts

“Një histori dashurie që frymëzon: Agron Dedivanaj uron prindërit për 57 vite martesë”

Gjyla Halili

Gjithçka gati për 4 Prill/ Hudhet gurthemeli për Korridorin 8, bëhu pjesë e historisë shqiptare (VIDEO)

admin

Forumi i Gruas BDI – Dega Çair dënon sulmin verbal ndaj deputetes Arbana Pasholli

Gjyla Halili