AKTUALE

Vizitë në „El Hilal“ nga përfaqësues të lartë të universiteteve ndërkombëtare

Selinë e Organizatës Humanitare „El Hilal“ në Shkup e vizitoi një delegacion i nivelit të lartë i Këshillit Ndërkombëtar të Universiteteve (IUC), me seli në Ankara të Republikës së Turqisë. Delegacioni qëndroi zyrtarisht në Maqedoninë e Veriut në kuadër të pjesëmarrjes në një konferencë shkencore të organizuar me rastin e 11 Tetorit.
Delegacioni, i përbërë nga dhjetë anëtarë dhe i kryesuar nga Prof. Dr. Orhan Hikmet Azizoglu, kryetar i Këshillit Ndërkombëtar të Universiteteve (IUC), përfshinte rektorë dhe përfaqësues të universiteteve të ndryshme nga Lindja e Afërt, Turqia dhe Evropa Juglindore. Në mesin e tyre kishte akademikë nga Katari, Qiproja, Jordania dhe Iraku, të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tyre.
Delegacioni u prit nga Dr. Behixhudin Shehapi, kryetar i „El Hilalit“, Mr. Ali Sadiku, zv.kryetar, hoxhë Mutalip Ademi, anëtar i Këshillit drejtues dhe Irfan Isaku, sekretar i organizatës.
Pas prezantimit të misionit dhe vizionit të „El Hilalit“, si dhe të aktiviteteve të shumta të realizuara ndër vite, gjatë takimit u diskutua për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit akademik, me theks të veçantë në ngritjen e cilësisë së arsimit për gjeneratat e reja, veçanërisht për grupet e synuara të organizatës.
Në këtë kuadër, vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për shkëmbimin akademik të bursistëve të „El Hilalit“ me universitetet e vendeve anëtare të Këshillit Ndërkombëtar të Universiteteve, si dhe përfshirjes së tyre në takime dhe veprimtari të ndryshme akademike.
Gjithashtu, u shqyrtuan mundësitë për zhvillimin dhe realizimin e projekteve të përbashkëta në funksion të avancimit të arsimit, kërkimit shkencor dhe teknologjisë.
Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni, i shoqëruar edhe nga aktivistët e „El Hilalit“ nga Tetova, vizitoi këtë qytet. Gjatë qëndrimit atje, në shoqërinë e përfaqësuesve të Muftinisë së Bashkësisë Fetare Islame, delegacioni vizitoi dy monumente të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore: Xhaminë e Pashës dhe Teqenë Arabati Baba.
Vizita përfundoi me një drekë solemne të shtruar nga Komuna e Tetovës, me ç’rast mysafirët patën mundësinë të njihen më nga afër me historinë, zhvillimin dhe veçoritë e qytetit përmes informacioneve të prezantuara nga përfaqësuesit e autoriteteve komunale.
Kjo vizitë përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit akademik dhe institucional, me synimin për të kontribuar në ngritjen e cilësisë së arsimit dhe në krijimin e mundësive të reja për zhvillimin arsimor dhe profesional të gjeneratave të reja.

Banner

Related posts

Ambasadori Denion Meidani: Samiti i Diasporës, urë lidhëse për shqiptarët kudo në botë

Gjyla Halili

Qyteti i Shkupit: MPB urgjentisht të hetojë shkaqet e zjarrit te Salla universale, institucionet të ngrenë procedurë adekuate për përgjegjësi

Gjyla Halili

Fetahu: Kështu na do Zoti

Gjyla Halili