Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane (AARC) ka shprehur shqetësim të thellë për situatën politike në Kosovë, duke u bërë thirrje liderëve politikë që të tejkalojnë ndasitë dhe të punojnë për zgjidhjen e krizës institucionale.
Në një deklaratë, AARC thotë se po i ndjek nga afër zhvillimet në Kosovë dhe shpreh shqetësim për pamundësinë e lidershipit politik për të gjetur një rrugëdalje nga ngërçi aktual.
Sipas AARC-së, situata është rënduar edhe më tej pas vendimit të fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të cilin organizata e cilëson si të padrejtë.
Organizata ka reaguar gjithashtu ndaj dhunës që shoqëroi protestat e fundit në Prishtinë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve për qetësi dhe përmbajtje.
“Përplasjet ndërmjet protestuesve dhe policisë nënvizojnë seriozitetin e këtij momenti dhe nevojën urgjente për një udhëheqje të përgjegjshme”, thuhet në deklaratë.
AARC kërkon respektimin e së drejtës për protestë paqësore, por njëkohësisht edhe respektimin e sigurisë publike dhe institucioneve demokratike.
Organizata vlerëson se liderët politikë të Kosovës prej kohësh nuk kanë arritur të kapërcejnë ndasitë dhe të krijojnë institucione funksionale, ndërsa vendi, sipas saj, duket se po shkon sërish drejt zgjedhjeve.
“Krizat politike janë pjesë e jetës demokratike, por ato kapërcehen përmes lidershipit të guximshëm, besimit të ndërsjellë, kompromisit dhe gatishmërisë për ta vendosur interesin kombëtar mbi konsideratat partiake”, thekson AARC.
Në këtë situatë, AARC u bën thirrje të gjitha forcave politike në Kosovë që të veprojnë me përgjegjësi, të dialogojnë në mirëbesim dhe të vendosin interesat e vendit dhe qytetarëve mbi interesat partiake.
Organizata thekson se kjo përgjegjësi është edhe më e madhe për shkak të sfidave me të cilat Kosova përballet në planin rajonal dhe ndërkombëtar.
AARC paralajmëron se polarizimi i mëtejshëm politik dhe rritja e mosbesimit mund ta dobësojnë Kosovën në një kohë kur, sipas saj, vendit i nevojitet më shumë unitet.
Në fund, AARC shprehet e gatshme të vërë në dispozicion të lidershipit politik të Kosovës marrëdhëniet, përvojën dhe burimet e saj për të ndihmuar në tejkalimin e krizës aktuale.
Organizata përsërit gjithashtu angazhimin e saj për forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe thellimin e marrëdhënieve strategjike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ja postimi plotë:
Deklaratë e Këshillit për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane (AARC) mbi situatën politike në Kosovë
Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane (AARC) vazhdon të ndjekë nga afër zhvillimet në Republikën e Kosovës dhe është thellësisht i shqetësuar për pamundësinë e lidershipit politik të vendit për të gjetur një rrugëdalje nga ngërçi aktual politik. Situata është bërë edhe më serioze pas vendimit të fundit të padrejtë të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
AARC është gjithashtu thellësisht i shqetësuar për dhunën që shoqëroi protestat e djeshme në Prishtinë. Përplasjet ndërmjet protestuesve dhe policisë nënvizojnë seriozitetin e këtij momenti dhe nevojën urgjente për një udhëheqje të përgjegjshme. I bëjmë thirrje të gjitha palëve për qetësi dhe përmbajtje, respektimin e së drejtës për protestë paqësore, si dhe respektimin e sigurisë publike dhe institucioneve demokratike.
Për një kohë të gjatë, liderët politikë të Kosovës kanë qenë të paaftë të kapërcejnë ndasitë e tyre dhe të krijojnë institucione funksionale, ndërsa vendi tani duket se po shkon sërish drejt zgjedhjeve.
Krizat politike janë pjesë e jetës demokratike, por ato kapërcehen përmes lidershipit të guximshëm, besimit të ndërsjellë, kompromisit dhe gatishmërisë për ta vendosur interesin kombëtar mbi konsideratat partiake.
Në këtë moment kritik, liderët politikë të Kosovës, pa përjashtim, duhet të ngrihen mbi vijat partiake dhe të punojnë së bashku për çështjet themelore që prekin të ardhmen e vendit. Kjo përgjegjësi është veçanërisht urgjente në një kohë kur Kosova përballet me një mjedis gjithnjë e më sfidues rajonal dhe ndërkombëtar. Thellimi i polarizimit politik dhe mosbesimit rrezikon ta dobësojë Kosovën pikërisht në një kohë kur nevojitet më shumë unitet.
AARC u bën thirrje të gjitha forcave politike në Republikën e Kosovës që të veprojnë me përgjegjësi, të angazhohen me njëra-tjetrën në mirëbesim dhe të vendosin interesat e vendit dhe të qytetarëve të tij mbi gjithçka tjetër. AARC mbetet e gatshme të vërë në dispozicion të lidershipit politik të Kosovës marrëdhëniet, përvojën dhe burimet e saj për të ndihmuar, aty ku kjo mund të jetë e dobishme, në tejkalimin e krizës së tanishme.
Si gjithmonë, AARC mbetet fuqimisht e përkushtuar për avancimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe forcimin e marrëdhënieve strategjike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
