AKTUALE

SA U KUSHTOJNË QYTETARËVE STRUGANË VEPRIMET ARBITRARE TË KRYETARIT TË KOMUNËS?

Që nga fillimi i mandatit të tij, Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka ndërmarrë një sërë veprimesh ndaj të punësuarve në administratën komunale, duke krijuar një klimë pasigurie dhe presioni në institucion.
Në fillim të mandatit, ai deklaroi publikisht se në Komunën e Strugës kishte persona që ndodheshin jashtë shtetit dhe njëkohësisht merrnin paga nga komuna. Megjithatë, për këto deklarata nuk u paraqitën prova konkrete dhe as nuk pati ndonjë epilog institucional që do t’i mbështeste këto pretendime.
Më pas, kryetari ndërmori masa për largimin nga puna të një numri të të punësuarve. Ne i kemi vlerësuar këto veprime si selektive dhe të motivuara politikisht. Këtë e dëshmojnë edhe vendimet e institucioneve kompetente, të cilat i kanë rrëzuar këto vendime dhe kanë mundësuar rikthimin e të larguarve në vendet e tyre të punës.
Pavarësisht kësaj, presioni ndaj një pjese të administratës komunale nuk ka ndalur. Përkundrazi, kanë vazhduar masa dhe procedura që, sipas vlerësimit tonë, nuk janë në përputhje me frymën e ligjit dhe me funksionimin normal të administratës publike.
Pyetja që shtrohet është: sa i kushtojnë qytetarëve struganë këto veprime?
Çdo procedurë e humbur para institucioneve kompetente sjell kosto shtesë financiare për Komunën e Strugës. Dëmshpërblimet, shpenzimet procedurale dhe detyrimet e tjera financiare paguhen nga buxheti komunal, pra nga taksat dhe mjetet e qytetarëve të Strugës. Në vend që këto mjete të investohen në infrastrukturë, arsim, mjedis apo shërbime publike, ato rrezikojnë të shpenzohen për pasojat e vendimeve të gabuara dhe procedurave të humbura.
Çdo harxhim i panevojshëm i mjeteve publike që rezulton nga vendime të kundërligjshme ose procedura të humbura përbën dëmtim të drejtpërdrejtë të buxhetit komunal dhe kërkon përgjegjësi të plotë institucionale nga ata që i kanë shkaktuar këto pasoja.
Prandaj, i bëjmë thirrje Kryetarit të Komunës së Strugës që të respektojë ligjin, të heqë dorë nga qasjet selektive dhe të sigurojë funksionimin profesional dhe të paanshëm të administratës komunale, në shërbim të interesit të qytetarëve të Strugës.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë se si shpenzohen mjetet e tyre dhe kush mban përgjegjësi për dëmet që i shkaktohen buxhetit komunal.

Banner

Related posts

Shënohet Dita ndërkombëtare e Romëve

Gjyla Halili

Xhenis Sulimani zëdhënës i Shtabit të kandidatit për president, Bujar Osmanit

Gjyla Halili

Bexheti: Përfundoi vendosja e tabelave sinjalizuese në rrugën regjionale Saraj – Bojanë

Gjyla Halili