AKTUALE

Nikollë Camaj: Të lëmë mënjanë debatet dhe të mbrojmë Malësinë

Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Komunës së Tuzit, vlerësoi se dy çështjet kryesore të diskutimit ishin realizimi i buxhetit për vitin 2025 dhe raporti për ndarjen kufitare me Podgoricën.

Camaj deklaroi se në të dyja rastet janë evidentuar pasojat e veprimeve të ish-shumicës, e cila, sipas tij, kishte bërë përpjekje që Komuna e Tuzit të dështonte, qoftë përmes borxheve të trashëguara nga Kryeqyteti, qoftë përmes çështjes së kufijve administrativë, problem që, siç u shpreh ai, vazhdon edhe sot.

Ai rikujtoi edhe vështirësitë me të cilat u përball Ndërmarrja Komunale në fillimet e saj, duke theksuar se mbështetja erdhi nga komuna të tjera të Malit të Zi dhe nga diaspora shqiptare.

Sipas Camajt, kamioni i parë i ndërmarrjes u sigurua falë kontributit të Shoqatës “Malësia në Kaliforni”.

Duke folur për çështjen e kufijve, Camaj theksoi se është e domosdoshme të shfrytëzohet mbështetja e partnerëve evropianë në këtë periudhë të rëndësishme për Malin e Zi, në mënyrë që Komuna e Tuzit të ruajë unitetin e saj territorial.”Komuna jonë mund të quhet Tuz, por duhet të përfshijë, cep më cep, Malësinë”, deklaroi ai.

Camaj vlerësoi gjithashtu qasjen konstruktive të opozitës gjatë debatit, duke theksuar se, pavarësisht dallimeve politike, ajo mbështeti promovimin e vlerave të Malësisë.

Në fund, ai u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë që të lënë mënjanë debatet e panevojshme dhe të përqendrohen në mbrojtjen e interesave të Komunës së Tuzit dhe të Malësisë, duke shprehur shpresën se në këtë proces nuk do të mungojë as mbështetja e opozitës.

Ja postimi plotë:

Sot, Kuvendi i Tuzit ishte tejet aktiv, por në qendër të vëmendjes sime ishin dy pika; realizimi i buxhetit për vitin 2025 dhe raporti lidhur me ndarjen kufitare me Podgoricën.

Lidhur me të dyja potencova sjelljen e jo-dashamirësve nga radhat e ish-shumices, e cila bëri çmosin që komuna jonë të dështonte, qoftë përmes asaj që ishte borxh i kryeqytetit, qoftë përmes vendosjes së kufijve, problem qe vazhdon edhe sot.
Natyrisht se veçova edhe sjelljet hileqare ndaj ndërmarrjes Komunale kur në ndihmë patëm qytete të tjera të Malit të Zi, kurse kamionin e parë e blemë me mjetet nga Diaspora, konkretisht nga Shoqata Malesia Ne Kaliforni.

Ajo që potencova është që të shfrytëzojmë miqtë tonë evropianë, në këtë kohë tejet të rëndësishme edhe për Malin e Zi, që komuna e Tuzit të ruaj unitetin territorial, që njihet me emrin Malësi. Komuna jonë le të quhet Tuz, por duhet të përfshijë, cep më cep, Malësinë…

Është interesant të veçoj se pa marrë para syshë qendrimet, edhe opozita qe mjaft kontribuese, madje edhe promovuese e asaj që është vlerë e Malësisë, e zbatuar vazhdimisht nga Forumi shqiptar.

Sugjerova që të mos merremi me shkarravinat e ndryshme, por të punojmë në këtë drejtim, për çka shpresoj se nuk do të mungojë as perkrahja e opozitës.

Ketë edhe ua thash!

Banner

Related posts

Vica nuk pranon nënçim/ Mikpritje madhështore për Bajram Rexhepin

Gjyla Halili

Spitali klinik i Tetovës me drejtor të ri

Gjyla Halili

Taravari me letër të hapur ambasadorëve: Të ngrisim një front perëndimor kundër murtajës së korrupsionit

admin