AKTUALE

Nik Gjeloshaj zhbllokon projektin pas dy vitesh pritjeje: Shpallet tenderi për qendrën e fëmijëve me nevoja të veçanta në Sukuruq

Pas dy vitesh bllokimi, projekti për shndërrimin e Shtëpisë së Kulturës në Sukuruq në një qendër për fëmijët me nevoja të veçanta ka hyrë në fazën e realizimit. Lideri i Forumit Shqiptar në Mal të Zi, Nik Gjeloshaj, bën të ditur se pas ndërhyrjes së tij pranë Këshillit për Investime, është shpallur tenderi për këtë projekt me rëndësi të veçantë shoqërore.

Një projekt i rëndësishëm për fëmijët me nevoja të veçanta dhe familjet e tyre ka dalë më në fund nga bllokada dyvjeçare. Bëhet fjalë për rikonstruksionin e Shtëpisë së Kulturës në Sukuruq, e cila është paraparë të shndërrohet në një qendër të dedikuar për këtë kategori fëmijësh.

Lajmin e ka bërë të ditur Nik Gjeloshaj, lider i Forumit Shqiptar në Mal të Zi, i cili theksoi se ideja për realizimin e këtij projekti ishte propozuar prej tij para dy vitesh. Sipas tij, projekti i rikonstruksionit ishte hartuar dhe, me propozimin dhe angazhimin e tij, ishte siguruar edhe përfshirja në buxhet, por përkundër kësaj, realizimi kishte mbetur pezull për dy vjet.

Ndërhyrja e fundit pranë Këshillit për Investime duket se ka sjellë lëvizjen e shumëpritur. Gjeloshaj bëri të ditur se vetëm pak ditë pas shkresës që i drejtoi këtij institucioni, është shpallur tenderi, duke hapur rrugën për vazhdimin e procedurave drejt realizimit të projektit.

Përtej procedurave administrative, projekti ka një rëndësi të veçantë për fëmijët që kanë nevojë për mbështetje profesionale dhe për prindërit që përballen çdo ditë me sfida të shumta, të cilat shpesh mbeten larg vëmendjes publike.

Qendra e planifikuar në Sukuruq synon të krijojë një hapësirë ku këta fëmijë do të mund të mësojnë, të zhvillohen dhe të përparojnë, duke marrë kujdesin dhe mbështetjen që u nevojitet, ndërsa familjet e tyre të kenë një adresë më shumë ku mund të kërkojnë ndihmë.

Gjeloshaj e ka përshëndetur shpalljen e tenderit, por ka nënvizuar se ky është vetëm një hap drejt qëllimit përfundimtar. Sipas tij, projekti do të konsiderohet i përfunduar vetëm atëherë kur qendra të jetë funksionale dhe t’i hapë dyert për fëmijët.
“Puna jonë do të përfundojë kur qendra t’ua hapë dyert fëmijëve”, ka theksuar Gjeloshaj.

Tashmë, pritshmëritë janë që pas dy vitesh vonesë, projekti të kalojë nga dokumentet dhe buxheti në realizim konkret, duke krijuar një hapësirë të nevojshme për fëmijët me nevoja të veçanta dhe familjet e tyre në Sukuruq.

Banner

Related posts

Ramiz Lladrovci: Vetëm burrështetasit që i përzgjedh historia ndryshojnë epoka

admin

Buxheti republikan, maratonë votimesh përballë kundërshtimit të demokratëve

Gjyla Halili

Borë dhe shi në Kodrën e Diellit, mjegull në drejtimet rrugore Stracin – Kratovë dhe Veles – Katllanovë

Gjyla Halili