AKTUALE

MYFTIU I TETOVËS MORI PJESË NË CEREMONINË E FILLIMIT TË VITIT SHKOLLOR NË MEDRESENË “ISA BEU” – PARALELJA E VAJZAVE NË TETOVË

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2026/2027, Myftiu i Tetovës dr. Selver Xhemaili mori pjesë në ceremoninë e organizuar në Medresenë “Isa Beu” – Paralelja e Vajzave në Tetovë, ku, në prani të koordinatorit dr. Beqir Memedi, profesorëve e profesoreshave dhe nxënëseve, përcolli urimet dhe porositë e tij për një fillim të mbarë dhe një vit të begatë me dije, edukatë dhe suksese.

Në fjalën e tij, Myftiu theksoi pozitën e lartë që dija dhe arsimi zënë në mësimet e Islamit, duke përkujtuar se shpallja hyjnore filloi pikërisht me urdhrin për të lexuar dhe për të mësuar:
“Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi!”
(El-Alek, 1)

Ai theksoi se Medreseja, krahas përcjelljes së dijes, bart edhe një mision të veçantë edukativ dhe shpirtëror: formimin e brezave që dijen e bashkojnë me besimin, moralin me përgjegjësinë dhe arsimimin me shërbimin ndaj shoqërisë.

Duke folur për rëndësinë e investimit në arsim dhe edukimin e brezave, Myftiu solli edhe thënien që i atribuohet Sami Frashërit:
“Nëse doni të merrni bereqet për një vit, mbillni misër dhe grurë; nëse doni të merrni bereqet për njëqind vjet, mbillni arsim dhe kulturë.”

Në këtë frymë, Myftiu porositi nxënëset që mundësinë e shkollimit ta konsiderojnë njëkohësisht si mirësi dhe përgjegjësi. Ai i inkurajoi që me përkushtim të kërkojnë dije, të ndërtojnë personalitetin e tyre mbi vlera të shëndosha morale e fetare dhe të përgatiten për të qenë në të ardhmen gra të arsimuara, të përgjegjshme dhe të dobishme për familjen dhe shoqërinë.

Duke iu drejtuar stafit edukativo-arsimor, Myftiu vlerësoi punën dhe përgjegjësinë e madhe që mbajnë mësimdhënësit, pasi edukimi i një brezi nuk është vetëm përcjellje e njohurive, por edhe ndërtim i karakterit dhe kultivim i vlerave.
Në përfundim, ai u dëshiroi nxënëseve një vit të suksesshëm, duke iu lutur Allahut të Madhërishëm që t’ua shtojë dijen, t’ua lehtësojë rrugën e arsimimit dhe dijen e fituar ta bëjë të dobishme për to, familjet e tyre dhe mbarë shoqërinë.

Myftinia e Tetovës uron nxënëset, prindërit, profesorët dhe drejtuesit e Medresesë “Isa Beu” – Paralelja e Vajzave në Tetovë, për fillimin e vitit të ri shkollor 2026/2027, duke u dëshiruar një vit të begatë, me dije të dobishme, edukatë të lartë dhe suksese të shumta.
Allahu ua shtoftë dijen dhe ua bëftë atë dritë në jetë dhe dobi për shoqërinë!

Banner

Related posts

Gjendja e rrugëve në Maqedoninë e Veriut

Gjyla Halili

Muamed Sejdini ftohet nga Aleksandar Ceferin ne Shtëpinë Evropiane të Futbollit në Nyon të Zvicrës

Gjyla Halili

Qoftere me mish peshku – Kreu

admin