Ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Agon Ferati priti në takim Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Florian Qehaja.
Gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, zhvillimet aktuale dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Në takim u vlerësua se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës gëzojnë raporte të shkëlqyera fqinjësore dhe partneritet të ngushtë, ndërsa u theksua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit konkret në projekte që synojnë afrimin e të rinjve dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha bashkësive etnike.
Dy bashkëbiseduesit u dakorduan se të rinjtë përbëjnë urën më të fortë për ndërtimin e besimit, mirëkuptimit dhe një të ardhmeje të përbashkët në rajon.
Ministri Ferati prezantoi prioritetet dhe planet e Ministrisë së Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive për periudhën e ardhshme, me fokus në promovimin e dialogut ndërkulturor, forcimin e kohezionit shoqëror dhe mbështetjen e iniciativave që kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.
Një pjesë e veçantë e bisedës iu kushtua programit \”25 vite e përtej\”, i cili realizohet në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.
Në këtë drejtim u shkëmbyen mendime për aktivitetet e planifikuara dhe për rëndësinë e përfshirjes së institucioneve, partnerëve rajonalë dhe të rinjve në promovimin e vlerave të dialogut, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.
Për fund, shprehën gatishmërinë për të vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin e ngushtë, me qëllim realizimin e nismave të përbashkëta që kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha bashkësive etnike.
