AKTUALE

Fronti Evropian takon Ambasadorin e BE-së, shpreh shqetësime për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat

Grupi Parlamentar i “Frontit Evropian” në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut zhvilloi një takim zyrtar me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në vend, Mihalis Rokas.

Në takim morën pjesë koordinatorja e grupit parlamentar, Rina Ajdari, deputeti Sali Murati, si dhe përfaqësues të Delegacionit të BE-së, përfshirë zëvendësambasadorin, funksionarë të lartë dhe këshilltarë.

Gjatë takimit u diskutua për aktivitetet e Grupit Parlamentar “Fronti Evropian” në Kuvend, qëndrimet politike të grupit, si dhe sfidat me të cilat përballen institucionet parlamentare dhe proceset legjislative në vend.

Vëmendje e veçantë iu kushtua propozim-ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat. Përfaqësuesit e “Frontit Evropian” shprehën shqetësimet e tyre lidhur me mënyrën e përgatitjes dhe procedimit të ligjit, duke vlerësuar se procesi ka mungesë transparence dhe konsultimi me bashkësitë e prekura.

Sipas tyre, ligji nuk adreson në mënyrë të mjaftueshme parimet kushtetuese që lidhen me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, nuk përfshin mekanizma të qartë zbatimi dhe mbikëqyrjeje, si dhe nuk është harmonizuar plotësisht me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Përfaqësuesit e grupit parlamentar theksuan se zgjidhjet e propozuara mund të mos kontribuojnë në përmirësimin e pozitës së bashkësive etnike dhe kërkuan një proces më gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje me standardet demokratike dhe kushtetuese.

Takimi u zhvillua në frymën e dialogut dhe shkëmbimit të mendimeve mbi proceset reformuese, funksionimin e institucioneve demokratike dhe rrugën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Banner

Related posts

SPB Tetovë me kontrolle të shtuara në trafik: Gjoba për nëntë shoferë të dehur

Gjyla Halili

Reagon Valdet Xhaferi nga BDI në lidhje me vendimin e fundit të Gjykates Kushtetuese për të shpallur medresenë “Isa Beu” të paligjshme dhe jo kushtetuese

Gjyla Halili

IBM do të shtojë qindra vende pune të lidhura me Inteligjencën Artificiale në Irlandë

Gjyla Halili