AKTUALE

BE-ja mohon se po ia mban anën Serbisë, thotë se përgjegjësia për pajtim në fund u mbetet palëve

Pas takimit të fundit në Bruksel, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e kritikoi ndërmjetësin e BE-së, Miroslav Lajçak, se po i mban anë Serbisë në kërkesat që ajo ka paraqitur për sekuencimin e Planit për zbatimin e marrëveshjes.

Por nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, në BE mohuan se e mbajnë anën e Serbisë teksa insistuan se synim i tyre është që t’u ndihmojnë të dyja palëve në zbatimin e marrëveshjes.

“BE-ja nuk është e njëanshme. BE-ja është ndërmjetëse e ndershme që ka investuar në mënyrë të paanshme t’u ndihmojë palëve në dialog – Kosovës e Serbisë – që të arrijnë zgjidhje kompromisi, e cila gjithashtu kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit. Dialogu është në qendër të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen e BE-së

Pas takimit të 19 korrikut me ndërmjetësin e Lajçakut, zëvendëskryeministri Bislimi tha se draftet e deritanishme që emisari evropian ua dërgoi palëve, në mënyrë të njëanshme u kushtojnë më shumë vëmendje kërkesave e preferencave të Serbisë, si dhe se nuk e garantojnë zbatimin e plotë të marrëveshjes.

Por në zyrën e Lajçakut thanë se synimi është arritja e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Përmes dialogut, BE-ja synon të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke adresuar çështjet e pazgjidhura, në mënyrë që të dyja palët të përparojnë në rrugën e tyre përkatëse evropiane, të krijojnë mundësi të reja dhe të përmirësojnë jetën e qytetarëve të tyre. U takon të dy palëve që ta arrijnë këtë marrëveshje, BE-ja vepron vetëm si lehtësuese dhe përgjegjësia për t’u pajtuar mbi zgjidhjet evropiane në fund bie tek palët. Megjithëkëtë, BE-ja është e vendosur që ta vazhdojë angazhimin e saj të qëndrueshëm përkrah palëve në dialog”.

Duke iu referuar dinamikës së negociatave dhe zhvillimeve në veri, eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer, vlerësoi se BE-ja por edhe SHBA-ja po dështojnë në raport me palët.

“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë duke dështuar si me Prishtinën ashtu edhe me Beogradin. Në njërën anë, Presidenti Vuçiq ka bërë të qartë se nuk ka detyrime nga marrëveshjet e arritura në shkurt dhe në mars. Në anën tjetër, kryeministri Kurti ka bërë të qartë se nuk do të lëvizë me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pa vendosur rendin dhe ligjin në veri të Kosovës. Amerikanët dhe evropianët nuk janë të gatshëm të bëjnë presion ndaj Vuçiqit, ndërkaq presioni i tyre ndaj Kurtit nuk ka dhënë rezultate”, ka thënë Serwer.

Në mungesë të dakordimit, BE-ja muajve të fundit është marrë me shtensionimin e situatës në veri, pasi që vendosja e kryetarëve të rinj në objektet komunale në Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok nxiti protesta të dhunshme nga serbët lokalë.

Banner

Related posts

Miratohet ndërtimi i pikës së re kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ja kur pritet të hapet

Gjyla Halili

Deputetja Ajdari takon senatoren Roys dhe znj. Rude, njihet me procesin zgjedhor

Gjyla Halili

Fatmir Dehari vlerëson lartë dorëheqjen e Muhamed Sejdinit: Akt i përgjegjshmërisë dhe lidershipit të lartë

Gjyla Halili

Leave a Comment