AKTUALE

Ali Ahmeti: 9 Korriku 1997 në Gostivar mbetet kujtesë e dhimbshme dhe mësim që historia të mos përsëritet

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përkujtuar sot ngjarjet tragjike të 9 korrikut 1997 në Gostivar, duke i cilësuar ato si një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë së afërt të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në mesazhin e tij, Ahmeti theksoi se atë ditë shqiptarët u përballën me dhunë brutale shtetërore, maltretime, arrestime, humbje jetësh dhe burgosje, vetëm pse kërkonin respektimin e identitetit, dinjitetit dhe të drejtave të tyre legjitime.

Sipas Ahmetit, një nga faktorët që parapriu krizën ishte edhe vendimi i padrejtë i Gjykatës Kushtetuese, e cila, në vend që të ishte garantuese e rendit kushtetues, e të drejtave themelore dhe e bashkëjetesës, u shndërrua në burim tensionesh me pasoja të rënda.

“Ngjarjet e 9 korrikut 1997 duhet të mbeten një mësim i përhershëm për të gjithë ne. Historia nuk duhet të përsëritet. Institucionet duhet të jenë garantuese të Kushtetutës, të barazisë, të drejtësisë dhe të paqes, e jo burim krizash dhe tensionesh ndëretnike”, theksoi Ahmeti.

Në fund të mesazhit, kreu i BDI-së shprehu nderimin për të gjithë ata që humbën jetën, u plagosën, u maltretuan, u burgosën dhe u sakrifikuan në mbrojtje të dinjitetit dhe të drejtave të shqiptarëve, duke vlerësuar se kujtesa për Gostivarin e vitit 1997 mbetet një obligim që padrejtësi të tilla të mos përsëriten kurrë më.

Ja postimi plotë:

Sot kujtojmë me dhimbje dhe respekt ngjarjet e rënda të 9 korrikut 1997 në Gostivar, një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë sonë të afërt, kur shqiptarët u përballën me dhunë brutale shtetërore, maltretime, arrestime, humbje jetësh dhe burgosje, vetëm pse kërkonin respektimin e identitetit, dinjitetit dhe të drejtave të tyre legjitime.

Gjenerator i asaj krize ishte edhe vendimmarrja e padrejtë e Gjykatës Kushtetuese, e cila, në vend që të ishte mbrojtëse e rendit kushtetues, e të drejtave dhe e bashkëjetesës, u shndërrua në burim tensionesh dhe të një krize me pasoja të rënda. Ajo që pasoi në rrugët e Gostivarit mbetet dëshmi e dhimbshme se çfarë ndodh kur institucionet humbin paanshmërinë, kur drejtësia politizohet dhe kur të drejtat e një populli trajtohen si kërcënim.

Ngjarjet e 9 korrikut 1997 duhet të mbeten mësim i përhershëm për të gjithë ne. Historia nuk guxon të përsëritet. Institucionet duhet të jenë garantuese të Kushtetutës, barazisë dhe paqes, e jo gjeneratore të krizave dhe tensioneve ndëretnike.

Sot nderojmë të gjithë ata që u vranë, vuajtën, u maltretuan, u burgosën dhe u sakrifikuan në mbrojtje të dinjitetit dhe të drejtave të shqiptarëve. Kujtesa për Gostivarin e vitit 1997 është njëkohësisht obligim që veprime të tilla të mos përsëriten kurrë më.

Banner

Related posts

Vazhdojnë gjyqet kundër Merkos për emërime të paligjshme të drejtorëve në disa shkolla

Gjyla Halili

Stefan Dion në vizitë zyrtare në Maqedoni

admin

BE përgatit gjobën e majme 1 miliard dollarë ndaj Elon Musk

Gjyla Halili