Richard Grenell, ish-ambasadori amerikan në Gjermani dhe emisari i posaçëm i administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi dhe tani për misione speciale, ka shprehur në mënyrë të përsëritur mbështetje të fortë për ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe udhëheqësit e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës UÇK që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Grenell dhjetra herë ka deklaruar duke e cilësuar burgosjen e Thaçit si “padrejtësi të rëndë” dhe “burgosje të gabuar”. Në shkurt 2025, me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ai shkroi se “ati themelues i shtetësisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, duhet të festojë sot në Prishtinë – jo pas hekurave në Hagë”.
Grenell thote se europianët kanë dështuar të veprojnë kundër kësaj situate për pesë vite, ndërsa institucionet kosovare nuk kanë ndërmarrë hapa të nevojshëm ligjorë për shkak të politikës. “Kjo burgosje e padrejtë duhet të mbarojë,” theksoi ai.
Në postime të tjera, Grenell ka shkuar më larg: e ka quajtur Hagën “plotësisht të korruptuar” dhe ka kërkuar ndërprerjen e financimit të saj. Ai e ka lidhur rastin me ish-prokurorin Jack Smith që ishte i përfshirë në prokurorinë e specializuar para se të merrete me çështje kundër Trump-it, duke thënë se Smith arrestoi Thaçin në 2020, pikërisht kur administrata Trump po punonte për një marrëveshje Kosovë-Serbi. “Është turp që ai është ende në burg. Është mashtrim. Haga është e prishur,” ka shkruar Grenell.
Grenell e ka cilësuar Thaçin si figurë kyçe për paqen dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Në 2022 ai deklaroi se kishte folur me Thaçin nga burgu dhe se “populli i Kosovës do të ishte në paqe” nëse Thaçi do të ishte ende president, me më shumë bashkëpunim ekonomik dhe vende pune. Ai ka mbështetur edhe kritikat e kryeministrit shqiptar Edi Rama ndaj gjykatës, duke e quajtur Smith “turp” dhe duke thënë se Rama ka të drejtë.
Qëndrimi i Grenell-it mbetet i qartë dhe i qëndrueshëm: ai e sheh Thaçin dhe udhëheqësit e UÇK-së si heronj të pavarësisë së Kosovës që po përballen me një sistem të padrejtë dhe të zgjatur, dhe kërkon lirimin e tyre si çështje të drejtësisë dhe realpolitikës/Gazeta Journal/
