AKTUALE

VLEN përballë llogarisë së hapur të “botës serbe”!

Shkruan: Azgan Haklaj

Heshtja është bashkëfajsi!

Nuk bëhet fjalë më për lëshime të vogla apo hapa të gabuar taktikë, por për një kapitullim të plotë moral dhe kombëtar.
Koalicioni VLEN ka zgjedhur të shndërrohet në mburojë politike dhe avokat të zellshëm të strukturave që promovojnë hapur agjendën e “botës serbe” në Maqedoninë e Veriut.
Përtej retorikës boshe të shërbimit ndaj qytetarëve, realiteti flet me gjuhën e fakteve.
Ivan Stoillkoviç dhe shpura e tij, jo vetëm që drejtojnë dikastere kyçe si ai për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, por përdorin çdo pozitë zyrtare për të fyer dinjitetin e shqiptarëve, për të glorifikuar kriminelë lufte si Ratko Mlladiç dhe për t’iu referuar Republikës së Kosovës me terminologjinë fashizante të Beogradit “Kosovo e Metohija”.
Në këtë skemë nënshtrimi, heshtja e VLEN-it nuk është neutralitet; ajo është bashkëpërgjegjësi e pastër.
Ata kanë heshtur përballë sulmeve ndaj deputetëve shqiptarë, kanë mbrojtur me votë në Kuvend vazhdimësinë e Stoilkoviçit dhe, më keq akoma, janë bërë fasadë propagandistike e vendimeve që minojnë të ardhmen euroatlantike të vendit. Paralajmërimet e përsëritura të Parlamentit Evropian për depërtimin e ndikimeve malinje serbe në institucionet tona nuk janë thjesht raporte burokratike, por një kambanë alarmi që zhvlerësohet çdo ditë nga servilizmi i kësaj klike qeveritare.
Kjo agjendë antishqiptare dhe antievropiane nuk është ndalur vetëm në nivelin e deklaratave shoviniste, por ka depërtuar thellë në arteriet ekonomike dhe strategjike të shtetit.
Lidhja e projekteve të energjetikës dhe gazifikimit përmes drejtorive të kapura nga përfaqësuesit e VLEN-it (si në MEPSO apo NOMAGAS) me kompani të afërta me strukturat e Milorad Dodikut, hyrja e kapitalit të dyshimtë përmes bankave dhe telekomunikacionit, si dhe lejimi i strukturave ushtarake serbe të marshojnë nëpër vend, dëshmojnë se siguria kombëtare është shitur për një grusht karrigesh.
Prandaj, llogaridhënia nuk mund të shtyhet më. Pyetja për VLEN-in nuk është më retorike, por një ultimatum i pashmangshëm:
Kur do të kërkoni largimin e menjëhershëm nga Qeveria të Ivan Stoilkoviçit dhe shpurës së tij që lavdërojnë kriminelët e luftës?
Nëse në trupin politik të këtij koalicioni ka mbetur qoftë edhe një grimcë e përgjegjësisë kombëtare, rruga është vetëm një; ose t’i jepni fund këtij turpi duke i dëbuar strukturat pro-serbe nga pushteti, ose të jepni dorëheqjen kolektive për të mos njollosur më gjatë historinë e përfaqësimit politik shqiptar. Çdo sekondë vonesë dëshmon se karrigia është më e shtrenjtë se gjaku i dëshmorëve dhe e ardhmja e fëmijëve shqiptar.

Banner

Related posts

Shoqata “Malësia” në Kaliforni mbështet studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut: Gjuha shqipe është identitet, jo kompromis

Gjyla Halili

TS: Ja ndryshimet që priten në drejtoritë dhe në qeveri pas hyrjes së Aleancës

admin

Taravari: Pritshmëritë tona janë që të kalojmë në raundin e dytë

Gjyla Halili