AKTUALE

Shtet-Komb Panshqiptar apo Libanizim e Bosnjonizim i Shqipërisë Londineze!

Në rrjedhën e kohërave historikisht copëtimet më të rrezikshme të kombeve rrallëherë kanë nisur me ushtri në dyert e qyteteve.
Ato kanë filluar gjithmonë me ide, me eksperimente laboratorike të importuara dhe me firo të kujtesës historike, siç po ndodh edhe tani me ” Vatikanin Bektashi”!
Ky skenar në fakt i jep një goditje psikologjike boshtit të brishtë, por nuk mund ta thyej identitetin tonë kombëtar, i cili u ka rezistuar shekujve me qëndresë hyjnore në sagen e gjatë të betejave me armiq’ të shumtë.
Për të kuptuar më mirë rreziqet e eksperimenteve që synojnë të gjunjëzojnë trungun tonë kombëtar, vlen të analizojmë modelet ndërkombëtare të kësaj natyre.
Përvoja e libanizimit (kantonizimi konfesional):
Në modelin libanez, pushteti dhe territori janë të ndara rreptësisht sipas përkatësive fetare.
Ky sistem e ka paralizuar shtetin për dekada, duke e shndërruar në një mozaik ku feja bëhet kufi territorial.
Përvoja e bosnjonizimit (paraliza funksionale): Modeli i Bosnjë-Hercegovinës, i ndarë në entitete etnike me të drejtë vetoje, dëshmoi se bashkësitë e copëzuara prodhojnë një strukturë jashtëzakonisht të shtrenjtë dhe jofunksionale.
Mitlindja e gabuar e modelit zviceran:
Zvicra funksionon sepse bashkon qytetarë të barabartë në një shtet laik mbi baza historike dhe gjeografike, ndërsa çdo përpjekje për të krijuar enklava fetare apo etnike synon të kundërtën.
Rreziku i enklavizimit brenda Tiranës dhe precedentët e ekstraterritorialitetit!
Projekti për të krijuar një të ashtuquajtur “Vatikan Bektashi” është një konstrukt pa asnjë themel. Krahasimi me Vatikanin është jo vetëm i pabazuar, por thellësisht mashtrues:
Vatikani është qendra e Kishës Katolike Romake mbarëbotërore me traditë shekullore juridike dhe gjeopolitike, ndërsa pretendimet e tilla brenda hapësirës shqiptare nuk kanë asgjë të përbashkët me këtë realitet.
Përtej kësaj, ky projekt synon të instalojë struktura që deformojnë thellësisht rendin kushtetues dhe sovranitetin e vendit, duke u lidhur ngushtë me precedentin e rrezikshëm të ekstraterritorialitetit. Një projekt i tillë do të nxiste në Kosovë pretendime për minishtete ortodokse serbe ekstraterritoriale pranë manastireve serbe (të regjistruara paraprakisht si trashëgimi).
Kjo skemë do të imitohet në jug përmes helenizimit, belerizimit dhe manifestit të Vorio-Epirit që prej kohësh kanë shprehur publikisht pikësynimin për osecacion të modelit në Kosovë.
Pasojat e drejtpërdrejta të kësaj vale janë alarmante!
Sovraniteti:
Krijimi i një territori të pavarur për një bashkësi fetare krijon precedent të rrezikshëm që edhe grupe të tjera të kërkojnë status të ngjashëm.
Komuniteti Mysliman e ka kundërshtuar hapur dhe prerazi këtë qasje.
Sistemi monetar dhe financat:
Po shqyrtohet krijimi i një monedhe të quajtur “bek”, e lidhur me çmimin e arit.
Një sistem financiar paralel brenda Tiranës do ngrinte pyetje serioze për kontrollin fiskal dhe mbikëqyrjen financiare të shtetit.
Dokumentet e udhëtimit:
Parashikimi i pasaportave paralele me ato shqiptare krijon probleme të mëdha sigurie, verifikimi dhe reputacioni për Shqipërinë në raport me partnerët ndërkombëtarë.
Kontrolli dhe siguria:
Projekti po shoqërohet nga kompani dhe aktorë të huaj të sigurisë e teknologjisë, ndërsa Kryegjyshata po zhvillon kontakte me delegacione ndërkombëtare pa qenë të qartë parametrat e kontrollit shtetëror mbi këtë territor.
Trungu i rezistencës dhe misioni panshqiptar!
Për ta kuptuar më thellë peshën e këtij momenti, mjafton të kthejmë sytë nga historia jonë mijëvjeçare.
Si pasardhës të denjë të iliro- dardanëve, shqiptarët u ndeshën nëpër shekuj me lloj-lloj pushtuesish barbarë, nga Perandoria Romake dhe Bizantine, dyndjet e egra sllave, e deri te zgjedha e rëndë e Perandorisë Osmane.
Megjithatë, ata rezistuan me gjak dhe nuk u asimiluan kurrë!
Kjo qëndresë titanike u farkëtua në beteja epike, si ajo e Besëlidhjes së Lezhës nën zërin dhe shpatën e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) i cili bashkoi për herë të parë principatat shqiptare përballë rrezikut ekzistencial, në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Lidhjen e Pejës me “Besa Besë”, Kongresin e Manastirit dhe Kuvendin e Junikut me devizën:
“Shpetim a vdekje”!
Sot, ndërkohë që të gjitha energjitë panshqiptare duhet të përqendrohen te besëlidhja e shqiptarizmit përballë botës armiqësore serbe e pansllavizmit dhe te mbështetja e pakushtëzuar për drejtuesit e UÇK-së që mbahen padrejtësisht në Hagë, ne detyrohemi të harxhojmë energji për të mbrojtur vetë trungun e Shqipërisë londineze nga këto eksperimente vetëshkatërruese.
Si pasardhës të iliro- dardanëve shqiptarët mbijetuan përmes shekujve pikërisht sepse ruajtën boshtin e tyre të përbashkët dhe refuzuan ndarjet shpirtërore.
Misioni ynë historik mbetet shtet-kombi i fuqishëm, bashkimi i plotë i energjive, i hapësirës dhe i shpirtit tonë kombëtar rreth një identiteti të vetëm, laik, funksional dhe të pandarë.
Kufijtë shpirtërorë mes gjakut shqiptar janë më të rëndë se kufijtë që na janë imponuar me forcë. Përballë këtij udhëkryqi vendimtar, heshtja është bashkëfajësi e rëndë, dhe reagimi i kombit tonë duhet të jetë i pamëshirshëm dhe i pakompromis!

Banner

Related posts

Presidentja Osmani: Aganin e vrau makineria gjenocidale serbe që frikësohej nga mençuria e tij

Gjyla Halili

ALI AHMETI DHE BORIS STOJMENOV

Gjyla Halili

Sashe Ivanovski: VMRO-ja mund ta kritikojë BDI-në për çka të dojë, por jo duke ndezur tensione ndëretnike!

Gjyla Halili