Rruga e vetme e Maqedonisë së Veriut
shteti europian dhe pariteti i plotë qytetar!
Kryengritja e Ilindenit dhe Republika e Krushevës është një flash ndriçues në historinë e Gadishullit Ilirik, (Ballkanit).
Kryengritja e Ilindenit e vitit 1903 dhe themelimi i Republikës së Krushevës përfaqësojnë një nga kapitujt më dramatikë dhe të rëndësishëm të përpjekjeve për liri në Ballkanin Perëndimor gjatë muzgut të Perandorisë Osmane.
Kjo ngjarje nuk ishte thjesht një kryengritje e armatosur, por një sprovë politike dhe shoqërore për vetëqeverisje, bashkëjetesë dhe dinjitet njerëzor.
Kryengritja e Ilindenit:
Shpërthimi i kushtrimit (2 Gusht 1903)!
Në natën e Shën Ilisë (Ilinden), më 2 gusht 1903, Organizata e Brendshme Revolucionare (VMRO) dha sinjalin për fillimin e kryengritjes së armatosur në Vilajetin e Manastirit.
Stërmundimi nga taksat e rënda, pasiguria juridike dhe shtypja administrative kishin arritur pikën e vlimit.
Kryengritja përfshiu shpejt rajonin e Krushevës, Resnjës, Ohrit dhe pjesë të tjera të Maqedonisë Perëndimore.
Ajo mbështetej nga një popullsi e larmishme vendase, sllavomaqedonas, arumunë (vllahë) dhe shqiptarë me besim ortodoks e mysliman, të cilët ndanin të njëjtat mundime nën sundimin osman.
Republika e Krushevës:
Dhjetë ditët e lirisë!
Marrja e qytetit të Krushevës nga çetat kryengritëse çoi në shpalljen e Republikës së Krushevës, me udhëheqës politik ideologun dhe mësuesin Nikola Karev.
Kjo republikë jetëshkurtër (që zgjati vetëm 10 ditë, nga 3 deri më 13 gusht 1903) mbetet unike për frymën e saj vizionare:
Gurthemeli i pushteti popullor ishte bashkëjetesa.
U formua një këshill i përkohshëm prej 60 anëtarësh, ku përfshiheshin përfaqësues të të gjitha komuniteteve etnike dhe fetare të qytetit.
Manifesti i Krushevës:
Nëpërmjet këtij dokumenti historik, kryengritësit u bënë thirrje jo vetëm të krishterëve, por edhe popullsisë myslimane fqinje për bashkëpunim. Manifesti deklaronte se lufta nuk ishte kundër popullit thjesht për shkak të fesë apo etnisë, por kundër tiranisë dhe absolutizmit të regjimit.
Organizimi Shtetëror:
U ngritën gjyqësori, policia popullore, furnizimi me ushqime dhe spitalet ushtarake, duke dëshmuar një pjekuri të lartë organizative.
Përballja ushtarake dhe heroizmi i Pitu Gulit.
Reagimi i Portës së Lartë ishte i menjëhershëm dhe disproporcional.
Ushtria osmane dërgoi dhjetëra mijëra trupa të rregullta dhe artileri të rëndë për të rrethuar Krushevën.
Një nga momentet më epike të mbrojtjes së qytetit u zhvillua në Meçkin Kamen (Guri i Ariut), ku udhëheqësi ushtarak arumun Pitu Guli dhe çeta e tij vendosën të mos tërhiqeshin.
Ata luftuan deri në frymën e fundit kundër forcave shumëfish më të mëdha, duke u kthyer në simbolin absolut të vetëflijimit për liri.
Më 13 gusht 1903, Krusheva u pushtua dhe u dogj pjesërisht, duke i dhënë fund eksperimentit të parë republikan në Ballkanin e asaj periudhe.
Trashëgimia Historike!
Megjithëse u shtyp me zjarr e hekur, Kryengritja e Ilindenit dhe Republika e Krushevës lanë gjurmë të patjetërsueshme:
Ndërgjegjësimi Ndërkombëtar:
Ngjarjet e vitit 1903 i detyruan Fuqitë e Mëdha të ndërhynin politikisht dhe të kërkonin reforma administrative në Perandorinë Osmane.
Modeli i Bashkëjetesës:
Kushtrimi i Krushevës për barazi etnike e fetare mbetet një leksion i hershëm i etosit republikan në një rajon sovraniteti të trazuar.
Frymëzimi Kombëtar:
Ilindeni mbetet një shtyllë qendrore në memorien historike të Maqedonisë së Veriut dhe një pikë referimi për studimet historike mbi lëvizjet çlirimtare ballkanike.
“Liria nuk u dhurua, por u pagua me gjakun e atyre që besuan se dinjiteti njerëzor vlen më shumë se jetesa nën zgjedhë.”
Pas afër një shekulli, në vitet 2001 shqiptarët u detyruan të rrokin armët dhe të rreshtohen në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoninë e Veriut për të drejtat universale të tyre!
Pas disa muajsh luftimi palët ndërluftuese u ulën në tavolinën e bisedimeve ku u arrit nënshkrimi i Marrveshjes së Ohrit!
Marrveshja e Ohrit është vazhdimësia moderne e manifesti të Republikës së Krushevës.
Sot kjo marrveshje nuk po zbatohet nga pushteti i sotëm, e në fakt ka përpjekje maksimale për ta zbehur, e fatkeqësisht pjesë e tyre janë edhe shqiptarët e S’Vlenit që në vend të mbrojtjes së identiteti e dinjitetit kanë zgjedhë rrugën e gjunjëzimit e nënshtrimit ndaj pushtetit që po mundohet të rikthejë sundimin monoetnik të paraluftës, i cili ishte çmontuar për 20 vite me qëndresë e durim.
Sulmi ndaj Gjuhës Shqipe, anulimi i përfaqësimit adekuat, goditja e mekanizmit mbrojtës nga majorizimi, deformimi i realitetit pas regjistrimit të popullsisë, drejtësia selektive, margjinalizimi në institucionet e shtetit, administratë, siguri, ekonomi, kulturë, shëndetësi, drejtësi.
Përpjekja për të paditur Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në Hagë janë deshmi të pakundërshtueshme që vertetojnë synimin e maqedonasve për kthimin e logjikës së dominimit e sundimin monoetnik.
Kjo kujtesë historike është thirrje për vetëdijësim të maqedonëve që kanë pushtetin dhe i shqiptarëve që janë pjesë e tij të tejkalojnë interesant meskine përsonale sepse e ardhmja e sigurtë e Maqedonisë së Veriut është vetëm:
Shtet unitar, demokratik, euroatlantik, i paritetit të plotë qytetar, i bashkëjetesës ndëretnike e harmonisë ndërfetare.
Kjo është e vetmja rrugë e ekzistencës dhe e të ardhmes së vendit!
