Sokol Paja
Foto: Dritan Haxhia
Me lot, dhimbje, trishtim e respekt, familja, farefisi, miqtë, të njohurit, bashkëpunëtorët e mbarë e shqiptarët e Amerikës i dhanë lamtumirën e fundit Lisa Milicaj Bajraktari, një patrioteje që kontribuoi dhe u angazhua për çështjen kombëtare dhe komunitetin shqiptaro-amerikan. Me nderime të veçanta, respekt e mirënjohje, bashkëpunëtorë, veprimtarë të çështjes kombëtare, drejtues të organizatave shqiptaro-amerikane, liderë fetarë, përfaqësues të komunitetit shqiptar nga New Yorku e më gjerë, si edhe personalitete të jetës politike amerikane, i dhanë lamtumirën e fundit Lisa Milicaj Bajraktarit, një fisnikeje që me jetën, veprën, vizionin dhe përkushtimin e saj la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e shqiptarëve që i deshi, ndihmoi dhe respektoi.
Aktiviste e angazhuar, atdhetare e përkushtuar e nderuar e vlerësuar prej të gjitha organizatave shqiptaro-amerikane dhe prej Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës me titujt e nderit e vlerësimet më të larta kombëtare e shtetërore, dëshmojnë për kontributin e lartë dhe trashëgiminë e çmuar patriotike që la mes nesh. Një ikje e dhimbshme dhe e parakohshme që lëndoi shumë zemra. Lisa rrezatoi në çdo kohë mirësi, vlera, qytetari e shpirt shqiptari.
Ndarja e saj nga jeta ka tronditur jo vetëm familjen Milicaj e Bajraktari, por mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan, i cili humbi një nga figurat më të respektuara, më të dashura, më të nderuara e më fisnike dhe më të përkushtuara ndaj çështjes kombëtare. Lisa Milicaj Bajraktari ishte shumë më tepër se një biznesmene e suksesshme e vizionare. Ajo ishte një lidere e fuqishme, një grua me zemër të madhe, një mbështetëse e palodhur e kauzave kulturore, sociale e komunitare shqiptare, një urë lidhëse mes komunitetit shqiptar dhe institucioneve amerikane, një lidere frymëzuese.
Për dekada me radhë, ajo qëndroi pranë çdo nisme në shërbim të kombit, kulturës, traditës dhe identitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me urtësi, fisnikëri, bujari dhe dashuri, Lisa kontribuoi në forcimin e komunitetit, promovimin, bashkimin e komunitetit duke mbështetur aktivitete patriotike, kulturore, humanitare dhe bamirëse. Me ikjen e Lisës në përjetësi, komuniteti humbi një shtyllë të rëndësishme e të fuqishme, familja humbi zemrën e saj, ndërsa miqtë humbën një njeri të rrallë, që dinte të falte dashuri, përkushtim, besim, shpresë dhe mirësi pafund. Ajo ishte promotore e pandalur e vlerave kombëtare dhe shqiptaro-amerikane.
Në këtë ditë zie, të lamtumirës së përjetshme, mendimet dhe lutjet e mbarë komunitetit shqiptar janë veçanërisht me bashkëshortin e saj, veprimtarin e njohur Harry Bajraktari, me fëmijët, nipërit, mbesat dhe gjithë familjen Milicaj e Bajraktari. Dhimbja e tyre është edhe dhimbja e gjithë komunitetit shqiptar, sepse Lisa ishte bërë pjesë e pandarë e jetës së secilit që pati fatin ta njihte, të punonte dhe të bashkëpunonte ngushtë.
Lisa Milicaj Bajraktari kontribuoi edhe për Federatën Pan-shqiptare Vatra dhe gazetën Dielli duke dhuruar dhe marrë pjesë në të gjitha organizimet patriotike, atdhetare dhe kulturore. Lisa Milicaj Bajraktari la pas një trashëgimi dinjiteti, qytetarie, humanizmi, patriotizmi dhe dashurie për njeriun, familjen, kombin e komunitetin.
I përjetshëm qoftë nderimi e përkujtimi. Dritë iu bëftë shpirti në parajsë.




