Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Rina Ajdari, ka shprehur solidaritetin e saj me gazetarin Rami Mislimi dhe familjen e tij, duke dënuar çdo formë kërcënimi, presioni apo gjuhe që nxit urrejtje dhe dhunë ndaj gazetarëve.
Sipas Ajdarit, sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë një goditje të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar.
“Liria e shprehjes dhe pavarësia e mediave janë shtylla themelore të një shoqërie demokratike dhe duhet të mbrohen pa asnjë kompromis”, ka theksuar ajo.
Deputetja e BDI-së u ka bërë thirrje institucioneve kompetente të reagojnë menjëherë, të zbardhin rastin dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e gazetarëve gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.
Ajdari ka nënvizuar se asnjë gazetar nuk duhet të përballet me kërcënime apo frikësim për shkak të punës së tij, duke shtuar se mbrojtja e gazetarëve është njëkohësisht mbrojtje e demokracisë dhe e së drejtës së publikut për t’u informuar lirshëm.
Ja postimi plotë:
Shpreh solidaritet me gazetarin Rami Mislimi dhe familjen e tij. Çdo kërcënim, presion apo gjuhë që nxit urrejtje dhe dhunë ndaj gazetarëve përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar.
Liria e shprehjes dhe pavarësia e mediave janë shtylla themelore të një shoqërie demokratike dhe duhet të mbrohen pa asnjë kompromis. Presim që institucionet kompetente të reagojnë menjëherë, të zbardhin rastin dhe të garantojnë sigurinë e gazetarëve në ushtrimin e profesionit të tyre.
