Zv.kryeministri dhe ministri i Ekonomisë i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, u ka bërë thirrje qytetarëve dhe përkrahësve të Forumit Shqiptar që të ruajnë qetësinë dhe të mos u përgjigjen fyerjeve, shpifjeve apo akuzave me të njëjtën gjuhë.
Ai theksoi se besimi i qytetarëve obligon përfaqësuesit politikë të veprojnë me dinjitet dhe përgjegjësi, duke shtuar se përçarjet nuk i shërbejnë mbrojtjes së interesave të Malësisë.
Gjeloshaj bëri të ditur se së shpejti do të organizohen takime me të gjithë të interesuarit për të prezantuar në mënyrë transparente procesin dhe për të sqaruar të gjitha dilemat lidhur me punën e Komisionit.
Sipas tij, procesi i definimit të territorit të Malësisë nuk ka përfunduar dhe do të vazhdojë në periudhën në vijim.
“Asnjë përfaqësues i Komunës nuk ka nënshkruar ndonjë zgjidhje përfundimtare për territorin e Malësisë”, deklaroi Gjeloshaj.
Ai ritheksoi se as ai dhe as përfaqësuesit e Forumit Shqiptar nuk do të bëjnë kompromis kur është në pyetje territori i Malësisë, duke theksuar se do të vazhdojnë ta mbrojnë të njëjtin qëndrim deri në përfundimin e procesit.
Ja postimi plotë:
Të nderuar përkrahës të Forumit Shqiptar dhe të gjithë ata që më përkrahni mua personalisht,
Ju lutem, sado që mund t’ju prekin fyerjet, shpifjet apo akuzat ndaj Forumit dhe ndaj meje, mos u përgjigjni me të njëjtën gjuhë.
Le të besojmë se ka pasur keqkuptime dhe ta ndalim këtë përçarje menjëherë.
T’i durojmë këto shpifje e manipulime, besimi që na kanë dhënë qytetarët na obligon ta ruajmë qetësinë dhe dinjitetin.
Nuk kemi nevojë ta sulmojmë njëri-tjetrin. Mbrojtja e Malësisë nuk bëhet kështu; përkundrazi, kjo vetëm sa na dobëson.
Shumë shpejt do të organizoj takime me të gjithë të interesuarit për ta prezantuar procesin dhe për të dëshmuar se komisioni ka vepruar vetëm në mbrojtje të territorit të Malësisë.
Dhe, shumë qartë, dua që kjo të kuptohet njëherë e mirë:
Procesi i definimit të territorit nuk ka përfunduar. Ai do të vazhdojë së shpejti dhe asnjë përfaqësues i Komunës nuk ka nënshkruar asnjë zgjidhje përfundimtare për territorin e Malësisë.
Mbajeni mirë mend:
As unë dhe asnjë përfaqësues i Forumit Shqiptar nuk do të veprojmë kurrë ndryshe.
Edhe në vazhdimin e këtij procesi do ta mbrojmë të njëjtin qëndrim, pa asnjë kompromis kur është në pyetje territori i Malësisë.
NGJ
