AKTUALE

Nicholas Sinishtaj: Përçarja e shqiptarëve i shërben vetëm kundërshtarëve të Malësisë

Veprimtari Nicholas Sinishtaj ka reaguar lidhur me debatet e fundit për procesin e arbitrazhit territorial në Malësi, duke u bërë thirrje qytetarëve të ruajnë unitetin dhe të shmangin përçarjet politike.

Sipas Sinishtajt, shqiptarët në Malësi nuk duhet të harrojnë situatën para vitit 2019, kur, sipas tij, përfaqësimi institucional, investimet dhe mundësitë për zhvillim ishin shumë më të kufizuara se sot.

Ai theksoi se përfaqësuesit politikë janë zgjedhur për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe se shqetësimet e tyre duhet të trajtohen përmes institucioneve. Në këtë drejtim, Sinishtaj shprehu besimin se Forumi Shqiptar dhe Komisioni i Arbitrazhit do të përfaqësojnë interesat e Malësisë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Duke iu referuar procesit të arbitrazhit, ai tha se sipas raportit të komisionit, territori kadastral i Malësisë, sipas gjendjes së viteve 1952–1958, nuk ka humbur asnjë pjesë të territorit.
Sinishtaj vlerësoi se procesi kërkon durim, dialog dhe kompromis, pasi në zonat e kontestuara ekzistojnë qëndrime të ndryshme edhe mes vetë banorëve.

Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos lejojnë përçarjen e elektoratit shqiptar dhe të vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje përmes dialogut dhe mekanizmave institucionalë, duke theksuar se vetëm uniteti mund të garantojë mbrojtjen e interesave afatgjata të Malësisë.

Ja postimi plotë:

U aktivizuan edhe njëherë përçarsitë e elektoratit Shqiptar.

Le të kthehemi në kohën para vitit 2019. Sa investime, sa njerëz të punësuam, dhe sa përfaqësim në qeveri?

Në krahasim me situatën tonë sot, zero ishim në atë kohë.

Përfaqësuesit tanë u votuan për të mbrojtun vullnetin e popullit. Populli ka detyrën të paraqesë ankesat në mënyrë kolektive. Pastaj përfaqësuesit kanë detyrën t’i marrin seriozisht këto ankesa. Gja që besoj se kanë me ba lidhun me arbitrazhin e territorit të Malësisë.

Toka nuk mbrohet nga ata që kryen aktin e turpshëm të shitjes së tokës dhe destabilizimit të demografisë së Malësisë.

Këtu kemi disa elementë për të marrë në konsideratë: demografia etnike, implikimet zgjedhore, të ardhurat ekonomike, dhe kompromiset territoriale që ndoshta duhet të bahen me komunat fqinje.

Sipas komisionit të arbitrazhit, nuk kemi humb dhe as shtua asnjë pëllambë tokë nga territori kadastral i Malësisë i vitit 1952-1958. Në mendimin tem një sukses.

Disa fakte:

1. Disa zona nuk janë në favorin tonë demografikisht dhe do të duhej të përcaktoheshin mirë territorialisht nëpërmjet arbitrazhit (ndoshta shtëpi për shtëpi). Ky proces nuk ndodh për krye natet.

2. Ka zona ku u nënshkruan peticione nga një grup banorësh për t’u bashkua me Malësinë. Dhe në të njëjtën kohë, u nënshkruan kundërpeticione nga një grup tjetër banorësh për ta sabotuar këtë në favor të Podgoricës. Kush ashtë fajtor për këtë?

3. Kërko atë që është e jotja, por ji gati të bash lëshime. Asnjë negociatë nuk ashtë e njëanshme. Ose qëndro aty ku je, ose rreziko atë që ke tash për një zgjidhje që mendon se ashtë më e mirë.

Në fund, popullsia e zonave të kontestuara duhet të bashkohen në një konsensus koheziv me argumente të paraqitura te përfaqësuesit politikë.

Kush qëndron pas protestës dhe pse ashtë kjo çështje e rëndësishme për ta bash tash?

Nuk mund ta institucionalizosh një postim në Facebook dhe duhet të protestosh vetëm kur të kesh përdor të gjitha instrumentet e tua institucionale me përfaqësuesit politik. Në këtë rast, besoj se përfaqësuesit politik të Forumit Shqiptar së bashku me komitetin e arbitrazhit do ta përfaqësojnë Malësinë në maksimum e potencialit të tyre, siç e kanë ba që nga viti 2019.

Mos të kthehemi në kohën kur nuk kishim asgja në dorë. Jemi një vend relativisht i vogël, të gjithë e njohim njëri-tjetrin, le të punojmë së bashku për ti zgjidh ankesat ashtu si na ka hije si Malësor-Shqiptar.

Banner

Related posts

KShZ: Po votojnë të sëmurët dhe të burgosurit

Gjyla Halili

Vazhdon sot gjykimi për tragjedinë në Koçanë

Gjyla Halili

Osmani për raportet Kurti-Rama: E bindur që tani mospajtimet janë tejkaluar

admin