Shkup, 09.06.2026 – Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, mori pjesë në ceremoninë solemne të Apsolventijadës së Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, e organizuar me rastin e përmbylljes së studimeve të gjeneratës së re të studentëve.
Në fillim të ceremonisë, Rektori i Universitetit përshëndeti të pranishmit dhe foli për zhvillimin, arritjet dhe perspektivat e këtij institucioni të rëndësishëm të arsimit të lartë, duke theksuar rolin e tij në formimin akademik, profesional dhe qytetar të të rinjve.
Në këtë ngjarje solemne morën pjesë edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi, Zëvendëskryeministri i Parë, z. Bekim Sali, si dhe Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, së bashku me personalitete të tjera nga jeta akademike, institucionale dhe shoqërore.
Pjesëmarrja e Reisul Ulemas në këtë manifestim përfaqëson mbështetjen e vazhdueshme që Bashkësia Fetare Islame i kushton arsimit, dijes dhe avancimit të rinisë, si vlera themelore për zhvillimin, përparimin dhe mirëqenien e shoqërisë sonë.
