AKTUALE

Brukseli mban hapur derën e 2027-ës për Shqipërinë

Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pasi ka përmbushur benchmark-et e ndërmjetme për kapitujt e shtetit të së drejtës, një zhvillim që i hap rrugën nisjes së mbylljes së kapitujve negociues.

Në një përgjigje ekskluzive për Albanian Post, një zëdhënës i Komisionit Evropian konfirmoi se Tirana tashmë mund të kalojë në fazën tjetër të negociatave.

“Pas përmbushjes nga Shqipëria të benchmark-eve të ndërmjetme për kapitujt e shtetit të së drejtës, vendi tani mund të fillojë mbylljen e kapitujve të negociatave”, deklaroi zyrtari evropian për Albanian Post.

Brukseli e konsideron progresin shqiptar si një nga ritmet më të shpejta të regjistruara në procesin e zgjerimit. Brenda pak më shumë se një viti, Shqipëria arriti të hapë të gjashtë grup-kapitujt negociues, një zhvillim që Komisioni e sheh si provë të angazhimit të vendit ndaj reformave kyçe evropiane.

“Shqipëria ka demonstruar angazhim ndaj reformave kyçe të Bashkimit Evropian, siç dëshmohet nga hapja e të gjashtë grup-kapitujve negociues në pak më shumë se një vit”, theksoi zëdhënësi.

Komisioni Evropian vlerëson se, nëse ritmi aktual i reformave ruhet, objektivi i qeverisë shqiptare për të përfunduar negociatat deri në fund të vitit 2027 mbetet i arritshëm.

“Komisioni konsideron se, me kusht që të ruhet ritmi i reformave, Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbushur objektivin ambicioz të mbylljes së negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027”, deklaroi zëdhënësi.

Megjithatë, Brukseli shmang çdo parashikim për kapitujt që mund të mbyllen të parët. Sipas Komisionit, ritmi i procesit do të varet tërësisht nga reformat konkrete dhe përmbushja e kushteve teknike.

“Nuk mund të spekulojmë se cilët kapituj mund të mbyllen dhe kur, por Komisioni mbetet plotësisht i angazhuar për të mbështetur Shqipërinë që të mbyllë sa më shumë kapituj”, thuhet në përgjigjen për Albanian Post.

Në Bruksel, ky moment shihet si një pikë kthese. Gjatë Konferencës së Tetë Ndërqeveritare më 26 maj, shtetet anëtare miratuan benchmark-et e mbylljes për Klasterin 1 – “Themeloret”, i cili konsiderohet grupi më kritik i negociatave, pasi hapet i pari dhe mbyllet i fundit.

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e përshkroi zhvillimin si hyrje në “një fazë të re të negociatave”, duke theksuar se Shqipëria është vendi i dytë kandidat, pas Malit të Zi, që përmbush benchmark-et e ndërmjetme për sundimin e ligjit.

Por sa ndryshon realisht kjo për Shqipërinë?

Për Engjëllushe Morinën, Bashkëpunëtore e Lartë e Politikave për Sigurinë Evropiane pranë ECFR-së, momenti është jo vetëm simbolik, por thelbësor për besueshmërinë e procesit.

“Për Shqipërinë kjo fazë është shumë domethënëse dhe shumë pozitive. Ky ishte hapi i radhës, për të cilin shumë ‘ekspertë’ kishin drojë se nuk do të tejkalohej kollaj, për shkak të zhvillimeve në qeverisjen shqiptare”, thotë Morina për Albanian Post.

Sipas saj, Tirana ka treguar se ka aktivizuar mekanizmat shtetërorë për të respektuar afatet e integrimit evropian.

“Nëse procesi vazhdon me këtë tempo, me gjasë Shqipëria do t’i afrohet anëtarësimit të plotë në dy deri në tre vitet e ardhshme”, vlerëson ajo.

Në një kohë kur zgjerimi evropian ka hyrë sërish në qendër të debatit strategjik pas agresionit rus në Ukrainë, pyetja kyçe mbetet nëse ekziston ende vullnet politik real brenda Bashkimit Evropian.

“Vullneti brenda BE-së duket se ende ekziston. Nga shkurti i vitit 2022 deri në fund të vitit 2025 kemi dëgjuar shumë deklarata pozitive, por jo plane konkrete. Viti 2026 ka nisur me plane më konkrete për mënyrën sesi mund të vazhdojë zgjerimi”, argumenton Morina.

Për momentin, të 33 kapitujt negociues të Shqipërisë janë të hapur. Objektivi politik i Tiranës mbetet përfundimi i negociatave në vitin 2027, me synimin për anëtarësim të plotë brenda horizontit 2030.

Banner

Related posts

Vdes 18 vjeçari nga Tetova, e kap rryma duke u larë në dush

Gjyla Halili

Vuçiq: Kurti s’deshi ta pranonte marrëveshjen, takimi përfundoi

admin

Parregullsi në “Letrat me Vlerë”, gruaja e ish ministrit Fatmir Besimi u pagua pa shkuar fare punë

Gjyla Halili