Lajme

Hungaria i dha shtetësi Gruevskit, ekstradimi drejt Shkupit bëhet i pamundur

Banner

Hungaria mbetet një strehë e sigurt për ish-kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski falë shtetësisë hungareze që ai ka marrë në vitin 2022.

Për faktin se Gruevski posedon shtetësi hungareze raportoi revista “Fokus” më 21 prill, vetëm pak ditë pas rënies së Viktor Orbán, ndërsa tani këtë e ka konfirmuar edhe mediumi hungarez VSquare, duke iu referuar burimeve nga qeveria hungareze.

Portali hulumtues VSquare shkruan se Gruevski, i cili jeton në Budapest që nga viti 2018, ka marrë shtetësi të plotë hungareze në vitin 2022, mbi bazën e “interesit shtetëror të Hungarisë”. Sipas një burimi tjetër qeveritar, besohet se ai vazhdon ende të qëndrojë në vend. Kjo e bën ekstradimin e tij në Maqedoninë e Veriut pothuajse të pamundur.

Kryeministri hungarez Péter Magyar që në fillim të mandatit kishte paralajmëruar se Hungaria nuk do të shërbejë më si strehë për kriminelë ndërkombëtarë. Dy nga “banorët” më të njohur të këtij sistemi reaguan menjëherë dhe u larguan nga vendi. Ish-ministri polak i drejtësisë Zbigniew Ziobro, i cili kishte marrë azil pas arratisjes në Hungari në vitin 2025, u pa në aeroportin “Newark Liberty” në SHBA gjatë muajit maj.

Ndërkohë, ish-zëvendësi i tij Marcin Romanowski, i cili në fund të vitit 2024 u arratis në Budapest pas akuzave për keqpërdorim të fondeve publike, thuhet se nuk arriti të hyjë në SHBA dhe më pas u pa në Serbi dhe Kroaci, ndërsa autoritetet polake vazhdojnë ta kërkojnë.

Megjithatë, sipas VSquare, Hungaria me shumë gjasa nuk do të duhet ta përsërisë të njëjtin skenar me Gruevskin.

Pozita e Gruevskit konsiderohet dukshëm më e sigurt sesa ajo e të arratisurve polakë. Ndërsa azili politik mund të hiqet, heqja e shtetësisë është një procedurë juridike shumë më e ndërlikuar. Kjo i siguron atij një nivel mbrojtjeje që e bën pothuajse imun ndaj premtimeve të Mađarit për ekstradim.

Heqja e shtetësisë do të kërkonte të provohej se ajo është fituar përmes mashtrimit ose korrupsionit. Në rastin konkret – duke qenë se është dhënë për “interes shtetëror” – prokuroria do të duhej të dëshmonte përfshirjen e zyrtarëve më të lartë të qeverisë së Orbánit, gjë që nuk konsiderohet e pamundur.

Gruevski u arratis nga Maqedonia e Veriut në nëntor të vitit 2018, pak para se të niste vuajtjen e dënimit me dy vite burg në rastin “Tanku”, një aktgjykim për korrupsion lidhur me blerjen e një veture luksoze të blinduar “Mercedes” në vlerë prej 600 mijë eurosh. Më pas, qeveria e Orbánit i miratoi azil politik.

Related posts

Zëvendësdrejtori Sedat Bislimi: Trajtimi spitalor 2023–2025 dëshmon rritje të investimeve dhe stabilitet të sistemit shëndetësor

Admin2

VLEN: Pas Kongresit të Bashkimit, vazhdojmë me organizim dhe mobilizim

Admin2

Shabani: Përfaqësimi i shqiptarëve në Armatë është 24 për qind

Admin2

Leave a Comment