
Në 25-vjetorin e rënies heroike, është përkujtuar dëshmori i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, gjeneral Fadil Nimani, komandant i Brigadës 113 “Ismet Jashari-Kumanova”.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka vlerësuar Nimanin si një nga figurat e rëndësishme të luftës së UÇK-së dhe simbol të sakrificës për liri.
Ahmeti theksoi se “Tigri” mbetet një emër i paharruar në historinë e përpjekjeve çlirimtare, duke shtuar se veprat dhe sakrifica e tij janë pjesë e kujtesës kolektive të shqiptarëve në rajon.
Në ceremonitë përkujtimore u nderuan edhe të gjithë dëshmorët e rënë për liri, ndërsa u theksua rëndësia e ruajtjes së kujtimit të tyre për brezat e ardhshëm.
Ja postimi plotë:
Sot, në 25-vjetorin e rënies, përkujtojmë dëshmorin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Gjeneral Fadil Nimanin – Tigri, Komandant i Brigadës 113 “Ismet Jashari-Kumanova”.
Komandant Tigri, një nga figurat më të lavdishme të luftës sonë kombëtare, heroi i tri ushtrive çlirimtare shqiptare, u bë simbol i guximit, sakrificës dhe vendosmërisë për liri. Ai jetoi dhe luftoi me idealin dhe dinjitetin kombëtar, duke qëndruar gjithmonë në vijën e parë të betejës.
Rënia e tij heroike nuk ishte fundi i një jete, por lindja e një përjetësie në kujtesën e kombit shqiptar. Emri dhe vepra e tij mbeten amanet për brezat që të mos harrojnë çmimin e lirisë dhe përgjegjësinë për ta mbrojtur atë.
Lavdi e përjetshme Komandant Tigrit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!