AKTUALE

Nga zgjidhje “gjysmake” tek zgjidhjet boshe

Banner

Nga Sefer Selimi

Pafuqia e koalicionit (partisë?) VLEN në qeverinë etno-nacionaliste të Mickoskit ka qenë variabla kryesore që ka prodhuar një sërë zhvillimesh të mbrapshta në raport me shqiptarët dhe të drejtat e tyre kolektive që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit.

Arsyetimet përcjellëse se “fajet i ka BDI që punët nuk i ka kryer deri në fund për 20 vite në pushtet” rezononin në fillimet e qeverisjes së tyre si të përzgjedhurit e Mickoskit për të përfaqësuar shqiptarët. Madje, në situata të ndryshme, kam lejuar veten të besoj, ndoshta edhe naivisht, se mbase këta do të gjejnë formë apo mënyrë që “problemet e trashëguara” t’i zgjidhin duke ofruar zgjidhje më të mira dhe më të qëndrueshme. Sepse një shoqëri dhe klasë politike e pjekur, zgjidhjet që kanë ardhur si kompromis i imponuar nga rrethanat dhe konteksti politik i kohës, në një moment të ri i avancon dhe i përmirëson në drejtim pozitiv, jo duke i kthyer mbrapsht.

Por problemi qëndron tek dy kuptime krejt të ndryshme mbi atë se çfarë paraqesin “problemet e trashëguara”.

Për Mickoskin dhe partnerët maqedonas, “problemet e trashëguara” janë vetë të drejtat kolektive të shqiptarëve, që sipas tyre “kanë shkuar shumë larg” dhe cenojnë doktrinën ideologjike të VMRO-DPMNE-së: “Maqedonia e maqedonasve”.

Për VLEN-in, dua të besoj, “problemet e trashëguara” janë zgjidhje të paplota, të padefinuara deri në fund dhe me hapësirë për t’u avancuar.

Por në fakt, ajo që kemi parë gjatë gjithë kësaj kohe është dëshmi e pozicionit inferior të VLEN-it karshi VMRO-DPMNE-së. Kemi qenë dëshmitarë të pafuqisë së tyre, deri në turpërime publike dhe një disiplinim politik që ngjall më shumë keqardhje sesa respekt.

Dhe cilat janë “zgjidhjet për problemet e trashëguara”?

1. Ligji për regjistrimin – në vend që të bazohen në ligj, ata bazohen në mënyrë arbitrare tek metodologjia e regjistrimit, duke e nxjerrë diasporën jashtë përllogaritjes. Efektet e kësaj janë edhe politike, edhe financiare, duke dëmtuar kryesisht komunat shqiptare.
2. Balancuesi – një mekanizëm ligjor që kishte abuzime në të kaluarën, por që garantonte një minimum ekuilibri, u shfuqizua. Dhe në vakumin që u krijua, mjafton të shihen rezultatet e konkurseve publike për të kuptuar pse një mekanizëm i tillë është i nevojshëm. Pas zvarritjes gati dyvjeçare, “zgjidhja” e ofruar është një “Ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat” që më shumë i ngjan një hartimi me shkrim sesa një zgjidhjeje serioze ligjore. Është i përgjithshëm, i paplotë, pa mekanizma zbatues dhe pa instrumente ndëshkuese. Pra, një ligj pa fuqi.
3. Gjuha shqipe – ndërkohë që i gjithë problemi i këtij ligji sa kohë ishin në opozitë fokusohej tek “20%”, sot ai është kthyer në çështje dëshire dhe vullneti për t’u zbatuar sipas qejfit të zyrtarëve. Gjuha shqipe, që edhe ashtu haste vështirësi në zbatim, sot anatemohet në çdo institucion ku nuk ka një udhëheqës shqiptar. Ajo po fshihet para syve tanë nga tabelat rrugore, nga paraqitjet publike, nga komunikimet zyrtare, madje edhe aty ku ishte etabluar prej vitesh. E lëre më të avancohet më tej.

Çështja e studentëve e komplikon edhe më shumë situatën. Sepse tani, në vend që të kërkohet zbatimi i dispozitave kushtetuese dhe ligjore ekzistuese, kërkohen “zgjidhje të reja kreative”, me ligje plotësuese e interpretime të reja, që në fakt vetëm sa e fusin gjuhën shqipe edhe më thellë në labirintet e burokracisë, interpretimeve arbitrare dhe vullnetit politik të ministrave e funksionarëve shtetërorë.

Pra, kaluam nga “zgjidhje të pamjaftueshme dhe të paplota” në “zgjidhje boshe”.

Related posts

Gërvalla: Kosova e gatshme t’i bashkohet BE-së deri në vitin 2030

admin

Lëvizja Demokratike forcohet gjithandej

Gjyla Halili

Qeveria përjashton shqiptarët nga të ariturat në sport/ Reagon Bajram Rexhepi

Gjyla Halili